E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 79-vjeçari vret të shoqen me çiften e gjuetisë

Selman Lala, i dehur, ka qëlluar bashkëshorten pas sherrit në shtëpi. Pendohet dhe i kërkon fqinjit që ta vrasë

TIRANË- Krimi në familje është rikthyer frikshëm paraditen e djeshme në kryeqytet teksa një 79- vjeçar ka vrarë me çifte bashkëshorten e tij. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e një banese që ndodhet në afërsi të varrezave të Sharrës në Kombinat të Tiranës kur Selman Lala ka vrarë me çifte bashkëshorten e tij Sofie Lala, 76-vjeçe. Burimet zyrtare nga policia thanë se i moshuari ka qenë në gjendje të dehur në momentin që ka ekzekutuar gruan e tij. Më parë ata kanë debatuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta dhe më pas Lala ka rrëmbyer çiften që mbante me leje dhe ka qëlluar bashkëshorten. Madje pas vrasjes, Lala është penduar dhe ka kërkuar që fqinji i tij ta vriste.

Ngjarja

Rreth orës 10:50 të paradites së djeshme, Selman Lala sapo ishte kthyer në banesën e tij që ndodhet në hyrje të varrezave të Sharrës në Kombinat, Tiranë, kur në oborr është përballur me bashkëshorten e tij. 79-vjeçari kishte konsumuar një sasi të tepërt alkooli nën efektin e së cilës ka filluar të debatojë me bashkëshorten e tij. Sapo ka parë burrin të dehur, 76-vjeçarja është tërhequr nga sherri, duke mos folur fare me të. Por pavarësisht kësaj, Lala vazhdonte të fliste me tone të ashpra. Pas sherrit i moshuari ka hyrë në ambientet e brendshme të banesës së tij ku dhe ka rrëmbyer çiften që sipas policisë e mbante me leje prej 12 vitesh. Ai ka dalë në oborr ku ndodhej gruaja e tij dhe ka qëlluar me çifte në drejtim të saj, duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se në momentin që ka parë gruan të dergjej e gjakosur në mes të oborrit të shtëpisë, 79-vjeçari ka dalë jashtë dhe i ka thënë një të njohurit të tij ta vriste me çifte.

Arrestimi

“Pasi vrau gruan, Lala i tha një fqinji të tij ta qëllonte me çifte duke i zgjatur armën. Por kjo gjë sigurisht nuk u krye nga fqinji i cili lajmëroi menjëherë policinë”,- tha një i njohur i familjes Lala. Ndërkohë që policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti menjëherë pranë banesës për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se brenda pak minutash mundën të arrestonin autorin e vrasjes i cili dyshohet të jetë bashkëshorti i viktimës, Selman Lala. “Vrasja ndodhi pas një sherri për motive të dobëta mes bashkëshortëve. Dyshohet se viktima i ka kërkuar llogari burrit të saj për sasinë e alkoolit që kishte konsumuar gjë e cila ka irrituar të moshuarin duke e çuar deri në ekstrem reagimin e tij. Me një armë zjarri tip çifte ai qëlloi për vdekjen gruan e tij 76-vjeçare” thanë për “Shekullin” burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Megjithatë të njëjtat burime shtuan se ngjarja nuk kishte dëshmitarë, dhe pritej stabilizimi i gjendjes së autorit për të regjistruar versionin e tij. Sipas të afërmve të familjes Lala, autori i ngjarjes, vuante nga një sëmundje dhe shpesh herë ishte i papërgjegjshëm për veprimet e tij, ndërsa policia deklaroi se ai ishte i dehur në momentin që kreu vrasjen. Mësohet se çifti kishte dy djem, njëri prej të cilëve jeton jashtë shtetit.

Kërcënohen gazetarët të mos raportojnë ngjarjen

Familjarët e Selman Lalës janë konfrontuar paraditen e djeshme me gazetarët duke tentuar që t’i pengojnë ata që të raportojnë ngjarjen. Madje gazetarët janë përballur me një reagim të dhunshëm të njërit prej anëtarëve të familjes, i cili i ka kërcënuar se do t’i vriste. “Unë ju vras, unë ju shkatërroj...”, u është drejtuar ai gazetarëve duke vijuar me një fjalor të rëndë sharjesh, duke iu kërkuar që të largoheshin prej aty. Edhe pse gazetarët ndodheshin rreth 50 metra larg banesës së viktimës, ata janë sharë e ofenduar për një kohë të gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›