E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri vjet Kushtetutë

Kosova feston të hënën trevjetorin e Kushtetutës. Për tri vjet, dokumenti më i lartë i Shtetit u shkel shpesh edhe nga udhëheqësit e vendit, të cilët u ndëshkuan për këtë. Akti më i lartë juridik pritet t’u nënshtrohet ndryshimeve gjatë këtij viti. Nga Express më 09 prill 2011 në ora 20:00

Njëqind e njëzet deputetët e Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur në dhjetor të vitit të kaluar, në një proces të kontestuar zgjedhor, do të hyjnë në histori se e shkelën Kushtetutën kur e zgjodhën Behgjet Pacollin për President.

Gjykata Kushtetuese konstatoi në mars të këtij viti se cenimin e Kushtetutës e kishin bërë edhe deputetët që votuan pro Presidentit, e edhe ata që e lëshuan sallën e Kuvendit kur u votua për Shefin e Shtetit.

Ky është njëri prej shumë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të aktit më të lartë juridik të vendit.

Pikërisht të shtunën Kushtetuta e Kosovës i mbushi tri vjet nga momenti i miratimit të saj në Kuvendin e Kosovës, derisa dita e saj do të kremtohet të hënën.

Për këtë kohë, jo vetëm deputetët, por edhe shumë institucione tjera kanë shkulur nenet e Kushtetutës dhe kanë marrë edhe dënimet meritore.

Rasti më i rëndë është ai i Profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Fatmir Sejdiu, i cili mbante dy poste publike në të njëjtën kohë.

Gjykata Kushtetuese e konstatoi shkeljen e ish-Presidentit Sejdiu dhe e detyroi të largohet nga posti i Shefit të Shtetit në shtator të vitit të kaluar.

Pak ditë pas “Rastit Sejdiu”, Gjykata më e lartë në Kosovë konstatoi se edhe në Rahovec u shkel Kushtetuta, kur Qazim Qeska pasi dha dorëheqje publike, u rikthye në mënyrë jo-kushtetuese në postin e Kryetarit të Rahovecit.

Kthimin e Qeskës e pat kërkuar shefi i tij partiak, Hashim Thaçi, i cili u akuzua si shkelës i Kushtetutës.

Mirëpo, nuk janë vetëm këto raste kur është shkelur akti më i lartë politik dhe juridik i Kosovës.

Pagesa prej tri eurosh për Televizionin Publik ishte konsideruar po ashtu si antikushtetuese.

Megjithëkëtë, institucionet e Kosovës kanë dërguar mesazhe urimi për Ditën e Kushtetutës.

“Këtë ditë, të gjithë qytetarët e Kosovës e presin dhe festojnë me krenari legjitime, sepse ky dokument i lartë juridik është kurorëzim i përpjekjeve shekullore të Kosovës për t’u bërë entitet i barabartë me kombet e lira dhe sovrane”, thuhet në mesazhin e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar 52 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës - më 9 prill të vitit 2008, ndërkaq ka hyrë në fuqi rreth dy muaj më vonë.

Dokumenti, në bazë të të cilit funksionon shteti i Kosovës, është hartuar në përputhshmëri të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtissairit, i cili propozoi pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës.

Tash kur po festohet trevjetori i Kushtetutës, është shtruar nevoja për ndryshimin e neneve të saj, sidomos sa i përket zgjedhje së Presidentit.

Brenda një viti pritet të bëhet ndërhyrja e parë në Kushtetutë dhe të vendoset që Presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›