Pilotët serbë, shtyllë e Gaddafit

Fatima Mahmud, anëtare e Këshillit Kombëtar kryengritës të Libisë, pohon se në përbërje të forcave ajrore të Muammer Gaddafit luftojnë vullnetarë serbë.
Ajo thotë se mercenarët serbë, krahas atyre nga Kroacia e Bosnja, janë shtyllë e ofensivës së qeverisë në Tripoli.
"Është për keqardhje që Serbia, sikur dhe të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, ka qenë mike e madhe e Libisë dhe deri në vënien e embargos i kishte dërguar armë asaj, për të vrarë popullin. E të mos flasim për mercenarët nga rajonet e ish-Jugosllavisë, nga Serbia, Kroacia dhe Bosnja, që aktualisht janë vrasës të dëgjueshëm e të paguar mirë të Gaddafit", tha Fatima për gazetën „Veçernji list“ të Zagrebit.
Fatima Mahmud, letrare dhe aktiviste që me vite ka qenë e munduar nëpër burgje nga regjimi i Gaddafit, shtoi se këto të dhëna nga terreni nuk e habisin, sepse mercenarët nga “rajonet e ish Jugosllavisë kanë përvojë lufte”.
"Gadfafi ka para dhe nuk ka problem të paguajë këdo që do të vrasë për të për të blerë kështu edhe ndonjë ditë në pushtet. Mos u brengosni, sapo të qetësohet pak situata në fushëbetejë, do të bëjmë evidencën e mercenarëve në radhët e luftëtarëve të Gaddafit. Do ta bëjmë listën e të gjithë të vrarëve nga rajonet e ish-Jugosllavisë", theksoi Fatima.
Ajo tha se mercenarët nga Kroacia e Bosnja në terren luftojnë krahas mercenarëve nga vende afrikane, ndërsa ta të Serbisë kryesisht në aviacion.
"Gaddafi pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë mbeti në anën e Slobodana Miloshevicit dhe e ndihmoi në të gjitha mënyrat që të qëndronte në pushtet, e më së shumti e ndihmoi financiarisht. Veç kësaj, se çfarë është lidhja e tij me këtë vend dëshmon edhe fakti se Serbia deri më tash ende nuk e ka definuar qartë qëndrimin e vet ndaj situatës në Libi", shtoi Fatima Mahmud.