Strasburg, Roucek: “Hapja e kutive të 28 qershorit, mund të ishte një zgjidhje” Zv.presidenti i Parlamentit Europian: “Topi ka vullnetin e duhur për t’i ulur palët në tryezën e dialogut”
Zv.presidenti i Parlamentit Europian, Libor Roucek, në takimin e djeshëm me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama në Starsburg, deklaroi se hapja e disa kutive ose një pjesë e tyre në çdo zonë për hetimin e zgjedhjeve mund të ishte një zgjidhje.
Përsa i përket tryezës së dialogut Berisha-Rama, Roucek theksoi se beson te vullneti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për t’i ulur të dyja palët në tryezë. Ai nënvizoi se hetimi i këtyre zgjedhjeve do t’u shërbejë zgjedhjeve të ardhshme dhe pas këtij akti opozita do të hyjë në Parlament. Kreu i PS-së në Strasburg është shoqëruar nga deputetët: Arta Dade, njëkohësisht sekretare e marrëdhënieve me Jashtë, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj.
Roucek
Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit për zv.presidentin e Parlamentit Europian është tepër i nevojshëm për gjithë popullin shqiptar. “Mendoj se kjo zgjidhje do të ishte më e mira. Unë besoj te ndërmjetësimi i Presidentit, besoj se ai mund ta bëjë dhe besoj edhe se ai ka vullnetin e duhur për të ulur liderin e opozitës dhe kryeministrin në një tavolinë, për të gjetur kështu kompromisin që i duhet vendit”, - u shpreh Roucek, duke nënvizuar se “unë mendoj se nga ana tjetër është shumë e nevojshme të kryhet hetimi për këto zgjedhje, që kjo t'i shërbejë jo asaj që ka kaluar, por sidomos së ardhmes dhe që në të ardhmen të mos ketë as edhe një problem me zgjedhjet, ashtu siç, nga ana tjetër, është e rëndësishme për opozitën që pas këtij kompromisi të futet në Parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare. Ky do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar”, - është shprehur Roucek.
Rama
Gjatë bisedimeve me ndërkombëtarët në Strasburg, kreu i PS-së theksoi domosdoshmërinë e transparencës së plotë të zgjedhjeve, duke hapur kutitë. “Ishte një pasdite e ngjeshur në vijim të një komunikimi intensiv me miq dhe partnerë ndërkombëtarë, të gjithë dashamirës të vendit tonë, të gjithë të dëshiruar për një zgjidhje të krizës që ka mbërthyer vendin tonë. Pa dyshim, unë i ritheksova domosdoshmërinë e transparencës së plotë mbi procesin e shkuar zgjedhor për të mos lejuar më që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë i ngjashëm me të shkuarin për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral”, - është shprehur Rama, duke theksuar se “transparenca e plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, materialeve zgjedhore, për të bërë të mundur që populli shqiptar të shikojë dritën e diellit, çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit dhe njëkohësisht për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të garantojë vullnetin e popullit dhe çdo komisioner të mos jetë thjesht komisioneri i forcës që përfaqëson, por qytetari që përgjigjet para ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, siç është ai i zgjedhjeve”.
11 Shkurt 2010