E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora dhe Lushnja bekojnë fitoren e Aleancës për Qytetarin

04-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha zhvillon takimet përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore në qytetet e Vlorës dhe Lushnjes. Ardian Kollozi dhe Albert Sanxhaku janë kandidaturat fituese për alternativën e qeverimit të bashkive nga administrata me projekte. Mazhoranca u drejtohet votuesve me mesazhin se “8 maji nuk është një verdikt për të shkuarën, por zgjedhje për të ardhmen më të bukur e më të merituar”

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje në mbrëmje votën e vlonjatëve për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie në Vlorë, Ardian Kollozi, duke u shprehur se “për çdo shqiptar 8 maji nuk është një verdikt për të shkuarën, por është zgjedhje për të ardhmen më të bukur e më të merituar”.
Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Vlorës, Berisha ftoi të gjithë vlonjatet që, “në 8 maj  të certifikoni, të vlerësoni bindjet tuaj se Vlora mund të bëhet një nga qytetet më të zhvilluara të Mesdheut, se Shqipëria mund të bëhet një nga vendet më të zhvilluara të Evropës”.
Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal në një sërë arritjesh të deritanishme, duke theksuar se “ne sot jemi këtu gratë dhe burrat, vajzat e djemtë e një vendi të lirë anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut; mblidhemi si gra e burra që bëmë realitet ëndrrën tonë tjetër të madhe, të lëvizjes së lirë në mbarë Evropën. Mblidhemi në këtë shesh si qytetarë e qytetare të Vlorës që kemi bërë realitet ëndrrën e të gjithë brezave, Shqipëria e bukura e dheut, Vlora e bukura e dheut”. Ndërkohë, Berisha premtoi se gjatë 4 viteve do të bëhet shumë më tepër.
Kryeministri Berisha, ndërsa bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Kollozin më 8 maj, tha se “zgjidhni të nisim betejën e madhe për shndërrimin në realitet të Vlorës kantier të madh punësimi për vlonjatët dhe shqiptarët; më 8 maj jeni ftuar të zgjidhni Vlorën bukuroshen turistike të Mesdheut, nga derdhja e Vjosës tek Kepi i Gjuhëzës, Vlorën e infrastrukturës më moderne, Vlorën e potencialeve të jashtëzakonshme turistike”. “Më 8 maj qytetarët e Vlorës janë të ftuar të zgjedhin për Vlorën me planin dhe sistemin urbanistik më modern brenda 6 muajve të parë, për Vlorën me rrugë e rrugica evropiane, ujësjellës e kanalizime evropianë”, nënvizoi Kryeministri, duke theksuar se “fitoren e Kollozit do ta shndërrojmë në sukses për secilin prej jush”. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›