Në Korçë, urbanistët bashkohen kundër planit të Peleshit për qendrën e qytetit
Deklarata e tyre zyrtare/“Zënia e shesheve publike dhe lulishteve me ndërtime të larta, shkatërrojnë traditën historike dhe urbane të qytetit të Korçës”
Rreth 36 urbanistë dhe arkitektë korçarë u shprehen kunder masterplanit të bashkisë së Korçës për ndryshimin e qendrës së qytetit.
Arkitekti, Kliti Kallamata, në emër të grupit të urbanistëve dhe arkitektëve, beri publike deklaratën, ku dënohej këmbëngulja e Bashkisë së Korçës dhe e kryetarit të saj në detyrë, njëherazi kandidat i “Alences për të Ardhmen” për kryetar bashkie, Niko Peleshi, për zbatimin e një masterplani në qendër të qytetit të Korçës, që parashikon zënien e shesheve publike dhe lulishteve me ndërtime të larta të cilat shkatërrojnë traditën historike dhe urbane të këtij qyteti.
“Asgjësimi i trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit të Korçës për interesa të firmave klienteliste të ndërtimit, zënia e shesheve publike, rrënimi dhe shembja e banesave karakteristike të qytetit me anë të pseudokonkurseve, nuk ndryshon aspak nga djegia e librave që bëheshin dikur në sheshet e errëta mesjetare”, tha arkitekti Kallamata.
Në këtë deklaratë publike, arkitektët dhe urbanistët korçarë i thonë “jo” shkatërrimit të vlerave urbane të qytetit të Korçës, “jo” manipulimit të planit rregullues, “jo” masterplanit me ndërtime të larta në qendër të qytetit, “jo” prishjes së ndërtimeve të traditës, “jo” ndërtimeve në sheshet dhe lulishtet e qytetit.
Kërkesat u nënshkruan nga 36 urbanistë dhe arkitektë korçarë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Korçës, si dhe dhjetëra personalitete dhe intelektualë të këtij qyteti.