E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria në krizë, shteti po degradon

Rama ka evidentuar se si pasojë e krizës ekonomike shumë biznese të vogla po falimentojnë, ndërkohë që shumë të tjera janë në prag të falimentimit


TIRANË - Mungesa e legjitimitetit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe paaftësia e qeverisë për të drejtuar, ka futur në krizë të gjithanshme vendin. Ky është konstatimi që ka bërë Partia Socialiste dje nëpërmjet kryetarit të saj, Edi Rama, i cili gjatë një deklarate për mediat ka evidentuar një sërë fenomenesh negative, që kanë shoqëruar sektorë të ndryshëm, jo vetëm ekonomikë, por edhe socialë e politikë.


Sipas Ramës, zhvillimet e fundit, që kanë shoqëruar jetën e shqiptarëve, janë një tregues i qartë se, "Shqipëria është në krizë të shumanshme dhe shteti është në degradim të përditshëm".


Kështu, duke u ndalur tek aspekti ekonomik, Rama ka evidentuar se kriza ekonomike ka sjellë që shumë biznese të vogla po falimentojnë, ndërkohë që shumë të tjera janë në prag falimenti dhe kjo, sipas tij, për shkak të paaftësisë së qeverisë për të ndërhyrë me mjetet e duhura. "Kriza ekonomike e financiare, që po i prek të gjithë është shprehje kuptimplotë e këtij degradimi.


Numri i bizneseve të vogla që falimentojnë e mbyllen apo që janë në prag të falimentimit po rritet, shkalla e papunësisë po shtohet, duke rritur dëshpërimin social",- u shpreh kryesocialisti. Në këtë aspekt, ai ka theksuar se edhe arka e shtetit është bosh, për shkak të korrupsionit me taksat e shqiptarëve dhe për shkak të shpenzimeve pa kriter gjatë fushatës zgjedhore.


"Arka e shtetit vazhdon të jetë bosh për shkak të zullumeve të pushtetit, që vazhdon të zhytet në llumin e korrupsionit. Ky pushtet është sot në borxh ndaj qindra kompanive që janë angazhuar në punë publike dhe janë vënë për arsyet e fushatës që lamë pas, nën presionin e paligjshëm të realizimit të punëve me lekët e tyre, ndërkohë që ende nuk kanë marrë asnjë qindarkë për punën e kryer",- tha më tej Rama. Ndërkohë, ajo që është më shqetësuese, sipas kryesocialistit, është fakti se kriza ekonomike ka sjellë si pasojë dhe një krizë tjetër, atë në aspektin social.


Për të ilustruar këtë lloj krize, ai ka sjellë si shembuj më shqetësues, pikërisht tre rastet kur njerëz me aftësi të kufizuara mendore mbaheshin të lidhur me zinxhirë, prej një kohe të gjatë prej familjarëve të tyre.


Sipas Ramës, raste të tilla tregojnë jo vetëm skamjen që ka zaptuar shqiptarët, por edhe mungesën e vëmendjes nga shteti. "Shqipëria po ndjen përditë e më tepër krizën sociale, varfëria po tërheq përditë në qerthullin e saj familje e komunitete të pambrojtura, që nuk arrijnë ta përballojnë më jetesën.


Pamjet shokuese të Dibrës e të Fierit, ku të sëmurë mbaheshin lidhur me zinxhirë, tregon jo vetëm shkallën e patolerueshme të rrënimit moral e social, ku bien përditë shqiptarët, familje e komunitete të pafajshme e të pambrojtura, por në radhë të parë dështimin e plotë të strukturave të një shteti që në fakt i shërben vetëm pushtetit dhe që ekziston përditë e më shumë vetëm për pushtetin, pushtetin e një familjeje",- u shpreh Rama.


Ai ka përmendur si raste të degradimit të shtetit, përplasjen e dy policive në dyert e kompanisë ARMO, apo edhe konfliktin për çështje pronësie në Orikum, ku policia u konfliktua edhe fizikisht me kategori të ndryshme pronarësh.


Por, kriza më e rëndë për selinë rozë, natyrisht është ajo morale, ku njerëz të kërkuar nga drejtësia fshihen pas mandatit të ministrit. "Rastet e Fatmir Mediut dhe Lulëzim Bashës, janë simbole të së keqes, që ka mbërthyer, qeverinë, shtetin ligjor të kthyer në vegël të pushtetit të paligjshëm.


Tragjedia e Gërdecit vazhdon të hapë plagë për viktima, ndërkohë që përgjegjësit për shpërthimin vrastar strehohen në qeveri dhe mbrohen nga qeveria, përsëri që të mos preken interesat e pushtetit të familjes dhe vetë familjen", - tha Rama, duke theksuar se e gjithë kjo problematikë ka si burim të vet faktin që kjo qeveri është zgjedhur nga një Parlament që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›