Zgjedhjet, Beja: Ministrat, jo poste drejtuese në PD
Deputeti i PD- së, Fatos Beja, është i pari që publikisht kërkon ndarjen e posteve qeveritare nga ato partiake
TIRANË - Pas përfundimit të një mandati katër - vjeçar qeverisës dhe në prag të Kongresit të radhës së Partisë Demokratike, në selinë blu, për herë të parë, po shfaqen publikisht zërat për domosdoshmërinë e ndarjes së posteve qeveritare nga ato partiake. Ish - ministri i Arsimit, deputeti demokrat Fatos Beja, u shpreh dje se, një ministër nuk mundet dot të mbajë dy pozicione, atë të qeverisë dhe atë partiak.
Beja shprehet se është e domosdoshme ndarja mes këtyre dy pozicioneve, pasi kjo do të shmangte monopolizimin e partisë. "Ekstremet nuk janë asnjëherë të mira. Në qoftë se të gjithë drejtuesit e partisë do të venë të tërë në pushtet dhe s'ngelet asnjë te partia, partia humbet forcën.
Është e vështirë për një njeri, që të drejtojë një dikaster të rëndësishëm, që ka detyrime të mëdha dhe përgjegjësi të mëdha ndaj gjithë popullsisë, jo vetëm ndaj partisë dhe të jesh në gjendje pastaj të ndjekësh dhe këtë të dytën. Nuk është e lehtë",- u shpreh Beja.
Ai shtoi se, partia duhet të jetë më e strukturuar me qëllim që të jetë e aftë të konkurrojë, të bëjë fushatë e të fitojë.
Në fakt, ndarja ose jo e posteve partiake me atë qeveritare pritet të jetë edhe thembra e Akilit në Kongresin e 12 Dhjetorit të Partisë Demokratike. I vetmi që nuk preket nga ky debat është Astrit Patozi, i cili do të vijojë të jetë Nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar, pa pasur angazhime qeverisëse.
Ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli, e cila është edhe Kryetare e Kuvendit, pozicion i cili do të diskutohet në rast se do të merret një vendim për këtë çështje.
Ridvan Bode është funksionari tjetër i lartë i PD-së, i cili largohet automatikisht në rast se statuti i PD-së do të ndryshojë. Ridvan Bode vazhdon të jetë ministër i Financave në kabinetin qeveritar, i vetmi që nuk ka lëvizur nga ky dikaster, që prej vitit 2005.
Një tjetër funksionar që preket në rast se statuti ndryshon është edhe Ferdinand Poni, i cili krahas zëvendësministrit të Brendshëm është edhe Sekretar për Pushtetin Lokal në PD. Debati për ndarjen e posteve ministrore nga ato politike në PD është i hershëm.
Megjithatë miratimi i këtij ndryshimi statutor shumë i debatuar, pak gjasa ka që të ndodhë, duke u nisur jo vetëm nga bërrylat brenda në parti e konkretisht nga lidershipi aktual, i cili që prej vitesh mban poste të njëjta në parti, por edhe nga ministra të tjerë, ish - përfaqësues të KOP-it, siç janë Lulëzim Basha apo Majlinda Bregu të cilët aspirojnë jo pak që të jenë edhe në poste drejtuese partiake.
Në zgjedhjet e Qershorit, Idrizi u zgjodh deputet me votat e socialistëve të Vlorës
Idrizi thyen bojkotin: E bëra për çështjen çame
TIRANË - Në zgjedhjet e 28 Qershorit, Shpëtim Idrizi, u zgjodh deputet në Qarkun e Vlorës, me votat e elektoratit të majtë. Por, pak kohë më parë, ai formon një tjetër parti, pavarësisht se mandatin e deputetit e mori nga socialistët.
Duke drejtuar tashmë një parti të re, Partia për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka thyer edhe bojkotin me hyrjen e tij në Parlament. Pas betimit të tij si deputet, Idrizi shfaqi edhe qëndrimin e tij ndaj opozitës socialiste duke vënë në dukje se nuk mund ta anashkalonte bojkotin, nisur nga mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit.
"Opozita nuk po e zë vendin e vet në Parlament dhe polemikat vazhdojnë duke rrënuar kapacitetet konstruktive të shoqërisë. Nuk mund ta injoroj në diskutimin tim të parë bojkotin e opozitës për shkak të pakënaqësive të saj për mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet",- tha dje Idrizi.
Ai propozoi që të gjendet një zgjidhje në formën e konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës, që diskutimi të mos mbetet në distancë. Idrizi shtoi se, është e domosdoshme që të zhvillohen negociata mes kundërshtarëve politikë dhe se të dy palët duhet të lëshojnë pe nga veprimet dhe qëndrimet politike aktuale.
Hyrjen e tij në Parlament, Idrizi e ka justifikuar më së shumti me faktin e mbrojtjes së çështjes kombëtare dhe veçanërisht asaj çame. Kreu i PDU-së theksoi se iniciativa për të qenë pjesë e Kuvendit, kishte si qellim institucionalizimin e çështjes çame. "Pas një turi takimesh dhe konsultimesh nëpër Shqipëri, ku morëm bekimin për këtë iniciativë të re politike, jam këtu sot për t'i dhënë asaj dhe një zë parlamentar.
Për ta futur atë në kanalet institucionale të diskutimit dhe zgjidhjes së problemeve me natyrë kombëtare",- pohoi ai. Partisë së re të çamëve i është bashkangjitur edhe deputeti i PDI - së, Dashamir Tahiri. Ky i fundit arriti të fitojë mandatin e deputetit me partinë e çamëve, por pas konflikteve të brendshme në këtë parti, vendosi që t'i bashkohet idesë së Shpëtim Idrizit.