Pacolli: 50 me 50 për të kandiduar për president

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në një intervistë dhënë për emisionin “Tonight” të Ilva Tares, ka thënë se ende nuk e di nëse do të kandidojë për president të Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai është shfaqur i pasigurt në lidhje me konkurrimin si president i Kosovës. Pacolli ka thënë në këtë intervistë, se në politikë nuk ka sinqeritet.
Më poshtë e keni të plotë intervistën dhënë emisionit “Tonight”
Tare: Ishit President i Kosovës për 35 ditë. Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?
Pacolli: Kisha një agjendë ditore të përpunuar nga ekspertët e mi, nuk pata kohë ta implementoj, por 35 ditë kam pasur shumë aktivitete, nuk jam lodhur për asnjë moment, qëllimi ishte të punoj për qytetarët e Kosovës, ndodhi çfarë ndodhi por jo për fajin tim. Mund të krijoja një krizë të hatashme politike, mund të çoja vendin në zgjedhje të parakohshme, sakrifikova veten dhe u bëra pjesë e kësaj qeveri dhe po jap kontributin tim aq sa mund ta jap.
Tare: Pse po ju pengojnë të jepni kontributin tuaj?
Pacolli: Kam qenë pak naiv në politikë, kam menduar se ka sinqeritet, por s’paska qenë e vërtetë, dhe të jesh politikan i spikatur do të thotë që nganjëherë të gënjesh, nganjëherë të mos thuash të vërtetën. Unë nuk mund të jem kështu, jam i drejtpërdrejtë, jam i betuar të them gjithmonë të vërtetën dhe këtë do ta bëj gjithmonë.
Tare: Ka qenë preferencë e presidentes Jahjaga të mos e ndiqte atë agjendë?
Pacolli: Presidenten Jahjaga e respektoj, është duke bërë një punë të mirë me aq sa mundet. Mundësitë e mia kanë qenë të tjera, kam shumë miq, në një vit e gjysmë kam vizituar 48 shtete afrikane, 48 presidentë të këtyre shteteve, do të hyja në Gines për këtë si qytetar që jam, kjo bëhet nëse investon kohën tënde, punën e me radhë.
Tare: Keni bërë shantazh për vota?
Pacolli: Di vetëm që kam pyetur një këshilltar çfarë të bëj në raundin e tretë dhe në qoftë se dikush e konsideron shantazh le ta thotë. Zoti Surroi ka pasur problem dhe me korin diplomatik në Kosovë, unë i them se do ta shikoj gjithmonë në sy, nuk trembem ta përshëndes. Surroi nuk është ai që mund të më bëjë keq mua, nuk e kam frikë, s’është në gjendje të më bëjë keq, unë jam i pastër në shpirtin tim.
Tare: Ju mbështeti Christopher Dell?
Pacolli: Nuk e di, nuk kam marrë asnjë mesazh. Unë kam qenë i kritikuar nga Surroi, që në 2007, se po sjell modele të Azisë për zgjedhjen e presidentit me votë popullore dhe sot kjo ide po përkrahet në masë. Ajo do të ndodhë, janë në përgatitje reformat, presidenti i ardhshëm do zgjidhet nga qytetari.
Tare: Do kandidoni sërish për president të Kosovës?
Pacolli: Nuk di se çfarë të them, kontributin tim po e jap, sot jam 50 me 50. Sepse kam një familje të mrekullueshme dhe ndonjëherë them se duhet ta shijoj atë, mund të ndodhë që ideja se familja është në plan të parë mund të ndodhë. Kontributin tim e kam dhënë edhe si opozitë, ku kam bërë të mundur 20 njohje të reja, tashmë edhe si pozitë. Do të jem i legjitimuar si shërbyes i popullit të Kosovës.
Tare: Ka pasur polemika për njohjet e Kosovës, rasti i Malit?
Pacolli: A ty ku punohet ka dhe probleme, Mali asnjëherë s’e ka tërhequr njohjen, mediet kosovare ju kanë referuar një agjencie lajmesh kineze. Njohja ka ndodhur. Nota verbale ndodhet në Qeverinë e Kosovës. Mali është në gjendje lufte, ka disa persona që pretendojnë udhëheqjen. Na kanë kërkuar konsulencë, mbështetje teknike të cilën ua refuzuam sepse nuk ishim në gjendje për ta dhënë dhe kjo është keqinterpretuar. Kërkuan armë, ata kanë një problem me veriun, ata kanë menduar që Kosova është aq e pasur që ta bëjë këtë. Presidenti ka pasur presion ta tërheqë por kjo s’është bërë. Numri i njohjeve tani është 95 pa Malin. Është vështirë të sjellësh një njohje./Indeksonline/