Mungesa e parasë rrit interesin e bonove
Interesi i bonove të thesarit ka arritur majat. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë interesi i bonove të thesarit ka arritur në 9.22 për qind, duke pësuar rritje. Shkak për rritjen e normës së interesit të bonove të thesarit është mungesa e parasë në treg. E thënë ndryshe, nëse dikush do të investojë paratë e tij, kjo është periudha më e favorshme për t’i investuar ato në bono thesari, pasi interesat e bonove të thesarit kanë arritur majat. Bonot e thesarit janë letrat me vlerë, që qeveria i hedh në tregun financiar nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Sa herë qeveria ka nevojë për para, pret këto letra me vlerë, që quhen bono thesari dhe i shet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Bonot e thesarit mund të blihen pranë bankave tregtare apo edhe Bankës së Shqipërisë, ose filialeve të saj në rrethe. Është e mjaftueshme paraqitja e letërnjoftimit së bashku me paratë që do investohen. Pas derdhjes së parave, merret vërtetimi nga banka, si dhe plotësohet një deklaratë që i bashkëngjitet kërkesës. Dy ditë pas shpalljes së rezultateve të ankandit, mund të shkojmë të tërheqim interesin. Ankandet për bono thesari me maturim tremujor zhvillohen çdo javë, ndërsa ato për bono me maturim gjashtëmujor dhe dymbëdhjetëmujor, çdo dy javë.