KESH: Do vazhdojë eksporti deri tani vlera arrin në 12 milionë euro
Niveli i ujit në kaskadën e Drinit është në pikat maksimale, për rrjedhojë KESH do të vazhdojë eksportin e energjisë. Deri më tani nga eksporti i energjisë, i nisur në muajt e parë të këtij viti, KESH ka mundur të sigurojë plot 12 milionë euro. Sipas burimeve nga korporata, KESH përveç detyrimit ligjor që ka ndaj furnizimit me energji elektrike të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, po eksporton energji elektrike edhe me dy kompani të tjera, konkretisht me Kosovën dhe me një kompani tjetër. Sasia e energjisë së eksportuar do të kryhet 4-8 orë në ditë, sidomos në orët e pikut, kur dhe çmimi i shitjes së energjisë është më i lartë. KESH do të kryejë gjithashtu gjatë muajit qershor shkëmbime të energjisë elektrike me KEK-un e Kosovës gjatë orëve të natës, kur çmimi është më i lirë. KESH me anë të shitjes së energjisë elektrike po bën shfrytëzimin optimal të kaskadës. Sipas të dhënave më të fundit, liqeni i Fierzës është në nivelin 296.02 m dhe prurjet 165 m3/sek, ndërsa prodhimi ditor i energjisë për gjithë vendin është 12.5 milionë Kwh në ditë. Ndryshe nga më parë, këtë vit KESH nisi eksportin e energjisë elektrike drejt vendeve fqinjë dhe kjo falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në kaskadën e Drinit. Ky vit dhe 2008, kanë qenë goxha të mbarë për korporatën, për shkak të reshjeve të bollshme që kanë rënë.