Situata emergjente, grupi i PD-së i gjithi në zonat e përmbytura
Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Demokratike prej mëse dhjetë ditësh janë angazhuar me aktivitete në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në Veri të vendit. Madje situata emergjente ka bërë që të ndryshojë axhenda zgjedhore e Partisë Demokratike, që ishte parashikuar për zgjedhjen e emrave të rinj të posteve drejtuese. Deputeti i Grupit Parlamentar të PD-së, Tritan Shehu, ka bërë të ditur për gazetën se i gjithë Grupi është i angazhuar me situatën emergjente të krijuar në Veri të vendit për shkak të përmbytjeve. Sipas tij, zgjedhjet brenda PD-së, mbledhja e Këshillit Kombëtar dhe zgjedhja e sekretarëve të rinj, apo e anëtarëve të Kryesisë Qendrore është shtyrë me një afat të papërcaktuar. Shehu gjithashtu ka bërë të ditur se pritet të zhvillohet sa më parë një mbledhje e Grupit Parlamentar ku të diskutohet situata në Veri, masat e marra nga qeveria deri tani si dhe të përcaktohen pikat ku duhet të veprohet më tej. Madje pritet që deputetët e PD-së të krijojnë një fond financiar në ndihmë të banorëve të këtyre zonave. “Aktualisht jemi të gjithë të angazhuar me situatën e përmbytjeve. Gjendja emergjente solli ndryshimin e axhendës politike të PD-së. Unë si kryetar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe anëtarët e tjerë të këtij komisioni jemi të angazhuar duke ndjekur situatën dhe gjendjen shëndetësore të banorëve që janë gjendur në rrezik për shkak të përmbytjeve. Deri tani situata është e qetë, përveç ndonjë rasti sporadik, nuk paraqitet rrezik për shëndetin e banorëve. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë duke dhënë kontribut për banorët që kanë nevojë për ndihmë shëndetësore dhe duke u kujdesur për furnizimin me ilaçe”, - është shprehur Shehu, ndërsa ka shtuar se një pjesë e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së prej disa ditësh po e ndjekin situatën nga afër nga rrethi i Shkodrës.
Zgjedhjet
Përsa u përket zgjedhjeve brenda selisë blu, Shehu ka bërë të ditur se ato do të zhvillohen pasi të normalizohet situata në zonat e përmbytura. Sipas tij, kjo situatë emergjente solli ndryshimin e axhendës politike të PD-së. I pyetur nëse ekziston ndonjë projekt paraprak për numrin e posteve të sekretarëve dhe shtimin e tyre, Shehu bëri të ditur se këto çështje teknike do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Madje ai shtoi se kandidaturat për anëtarë të Kryesisë Qendrore dhe postet e sekretarëve do të propozohen nga kryetari i Partisë, Sali Berisha, duke mos krijuar mundësi për ndonjë kandidim me nismë individuale. “Përcaktimi i kandidaturave për postet drejtuese të sekretarëve të partisë është tagër i kryeministrit dhe ne presim që Berisha të bëjë publike kandidaturat dhe më pas të hidhen në votim të fshehtë”, - është shprehur Shehu.
Kriza
Përsa i përket krizës politike të shkaktuar nga mungesa prej disa muajsh e opozitës në Kuvend, deputeti demokrat thekson se nuk ekziston asnjë lloj krize politike. Ai e shikon krizën vetëm brenda Partisë Socialiste. Sipas tij, nuk ka se si të ndërmarrë ndonjë nismë PD-ja pasi nuk ka krizë politike. Shehu i bën thirrje PS-së që të futet në Parlament, pasi, sipas tij, ai është vendi dhe tryeza e duhur e bisedimeve për çdo kërkesë që ata kanë. “Nuk ka asnjë krizë politike. Kriza ekziston vetëm brenda Partisë Socialiste. Nuk ka se si PD-ja të marrë nisma për organizim tryezash. Tryeza e vetme e diskutimit është Parlamenti, ndaj i bëj thirrje PS-së që të vijë në Parlament dhe vetëm aty mund të diskutohen të gjitha kërkesat dhe pretendimet që ata kanë”, - është shprehur deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu.
Raporti i Freedom House: “Ekzekutivi ka ende ndikim në parandalimin e veprimeve të Prokurorisë”
Gjatë ditës së djeshme është bërë publik raporti vjetor i organizatës “Freedon House” për lirinë në botë. Në këtë raport theksohet se Shqipëria ka mbetur në të njëjtin pozicion me një vit më parë, megjithëse është anëtarësuar në NATO. Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, drejtori i Studimeve të Freedom House, Kristofer Uoker e ka cilësuar Shqipërinë si një vend pjesërisht të lirë. “Përsa i përket Shqipërisë, është e vërtetë që ka mbetur në të njëjtin pozicion, sipas vlerësimeve tona, është vend pjesërisht i lirë, çka do të thotë se ka shënuar përparime të konsiderueshme vitet e fundit, por në të njëjtën kohë ka një element ngecjeje. Pra ka ende hapësirë për përmirësim. Në raport ne kemi përmendur disa nga presionet që qeveria ka ushtruar tek media, gjë që është shqetësuese dhe sigurisht që kjo sjell implikime për mbulimin dhe transparencën që është e nevojshme për të luftuar korrupsionin që është një tjetër problem që ne kemi përmendur në raport”, - është shprehur Uoker. Përsa u përket akuzave pozitë-opozitë për korrupsion, Uoker thotë se Ekzekutivi ndikon ende në vendimet e Prokurorisë. “Mendoj se ju identifikuat një pikë shumë kritike, pra që çdo çështje paraqet sfidat dhe shqetësimet e veta, veçanërisht ato të niveleve më të larta të politikës në çdo vend. Prova është te përgjigjja e institucioneve dhe ajo që kemi parë në disa vende në disa pjesë të Europës Juglindore dhe Lindore, janë sfidat e vazhdueshme për pavarësinë e Gjyqësorit dhe Prokurorisë, çka do të thotë se Ekzekutivi ka ende ndikim të mjaftueshëm, ose në disa raste të tepruar për të parandaluar veprime transparente dhe efektive për Prokurorinë kur është e nevojshme. Prandaj mendoj se rasti që ju përmendni kërkon një vigjilencë të madhe për të garantuar që drejtësia të kryhet hapur, me transparencë, në mënyrë që të sjellë rezultatet e duhura dhe të hapura gjyqësore”, - është shprehur Uoker.
Përsa i përket bojkotit që opozita i ka bërë Kuvendit, Uoker shprehet se “kjo është një dukuri që ndodh në shumë vende ku opozita ose nuk gjen një rol të kënaqshëm, ose rrugën efektive për të luajtur rolin e vet në politikën e vendit. Kjo gjithashtu është një nga sfidat kryesore me të cilat përballen vendet në tranzicion, për normalizimin dhe shtimin e efektivitetit të politikës dhe dialogut politik”. Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, Uoker i referohet edhe lirisë së medias dhe rastit konkret të dhunimit të gazetarit Mero Baze duke e cilësuar atë një rast “ku qeveria mban një qëndrim armiqësor ndaj medias, apo ku nuk lejon një diskutim të hapur dhe të sinqertë të çështjeve”. Sipas tij, “objektivi duhet të jetë pakësimi i këtyre rasteve abuzimi dhe frikësimi, pasi media është absolutisht thelbësore për avancimin e reformave të tjera, jo vetëm për të luftuar korrupsionin, por nëse një media e hapur dhe e pavarur nuk mund të flasë për çështje serioze politike që shqetësojnë vendin, si reforma sociale, ekonomike, çështje të sigurisë, do të ketë rezultate negative përsa u takon këtyre politikave”.
13 Janar 2010