Mungesa e parave, qeveria kërkon të marrë sërish 300 milionë euro kredi
Ervin KOÇI
Mungesa e parave do ta detyrojë qeverinë shqiptare që të kërkojë sërish një borxh të madh nga bankat tregtare të huaja. Kriza ekonomike në vend, që u ndje së tepërmi sidomos në fund të vitit që sapo lamë, mungesa e të ardhurave nga taksat dhe tatimet, por dhe fatkeqësitë natyrore të javëve të fundit, duket se do të jenë arsye që të merret sërish kredi tregtare. Burime nga Ministria e Financave thonë për gazetën “Albania” se, “një grup ekspertësh i ngarkuar nga vetë ministri i Financave, Bode, po punojnë mbi mundësinë e gjetjes së bankave që do t’i kreditojnë Shqipërisë shumën e kërkuar”. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një shumë që mund të kalojë 300 milionë euro, e cila do të përdoret fillimisht për pagesat e rrogave të administratës, pensionet, dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga përmbytjet, si dhe për investimet e parashikuara në pjesën e parë të vitit. Vetëm disa ditë më parë qeveria miratoi procedurat e reja në bazë të të cilave do të zhvillohet tenderët për të marrë borxh dhe hua në tregun e jashtëm. Marrja e borxhit me tender, e aplikuar nga Ministria e Financave dy vitet e fundit, tashmë do të zhvillohet sipas një kuadri ligjor të posaçëm. Kredia shumë e shtrenjtë e marrë në euro nga disa banka vendase e të huaja vitin e kaluar, do të rrisë ndjeshëm interesat e borxhit të jashtëm këtë vit, ndërkohë që shtrenjtimi i bonove të thesarit dhe obligacioneve në tregun e brendshëm i ka rritur interesat.
Procedurat
Sipas procedurave të reja për huamarrje shtetërore, të hartuara nga Ministria e Financave, gjatë zhvillimit të tenderit titullari nxjerr urdhrin, në të cilin duhet të përcaktohen detyrimisht: shërbimi financiar, objekti i kësaj procedure, lista e institucioneve financiare pjesëmarrëse që do të ofrojnë shërbimin e kërkuar, e cila do të përcaktohet nga komisioni i hartimit të dokumenteve, si dhe emrat e anëtarëve të komisionit të hartimit të dokumenteve e të komisionit të vlerësimit të ofertave. Me pas komisioni i hartimit të dokumenteve, brenda 5 ditëve nga data e nxjerrjes së urdhrit, përgatit ftesën për ofertë, të cilën e dërgon në adresat përkatëse. Në ftesë përcaktohet: institucioni që kryen procedurën për shërbimin, shërbimi financiar që kërkohet të realizohet, kushtet e veçanta të kërkuara, data, ora dhe vendi i paraqitjes së ofertës. Dokumentacioni i paraqitur nga subjektet e interesuara ruhet dhe nuk hapet nga komisioni i vlerësimit të ofertave deri në datën dhe orën e caktuar në ftesën për ofertë. Më pas komisioni i vlerësimit të ofertave, në marrjen e vendimit përfundimtar për përzgjedhjen e subjektit, bazohet respektivisht në plotësimin e kritereve të përgjithshme dhe teknike, cilësinë e shërbimit, si dhe çmimin më të ulët për shërbimin e ofruar.
Interesat e huamarrjes
Kostoja që buxheti i shtetit ka për të paguar interesat e borxhit publik është rritur me shpejtësi gjatë vitit të kaluar, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të interesave në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kostoja e borxhit të brendshëm është rritur me rreth 1 për qind gjatë vitit 2009, gjë që mbart një kosto vjetore shtesë prej rreth 4 miliardë lekësh, (30 milionë euro). Borxhi i brendshëm ishte rreth 400 miliardë lekë në shtator 2009 dhe kishte afat mesatar maturimi prej 410 ditësh, ndërkohë që interesat e paguara për të qenë mesatarisht 8.8 për qind në vit. Vitin e kaluar u rritën ndjeshëm edhe interesat e paguara për borxhin e jashtëm. Në total, 31.4 miliardë lekë, (rreth 240 milionë euro), do të shkojnë për shërbimin e borxhit, shifër kjo 10 për qind më e lartë sesa vitin e kaluar. Shqiptarët do të paguajnë 3.7 për qind të PBB-së këtë vit për borxhet e qeverisë, nga 3.4 për qind që patën paguar vitin e kaluar. Statistikat e borxhit publik në Shqipëri pasqyrojnë vetëm borxhet e kontraktuara nga qeveria apo institucionet e ndryshme shtetërore nën garancinë e qeverisë, por nuk përfshijnë borxhe të panënshkruara, si p.sh., kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Rezerva valutore e vendit arrin 1.7 miliardë euro
Rritja e vlerës së monedhës së përbashkët europiane, euro, favorizoi rritjen e rezervës valutore të vendit tonë. Në fund të 3-mujorit të tretë të vitit, stoku i rezervës shënoi nivelin 1,736 milionë euro, i mjaftueshëm për mbulimin e 4.2 muajve importe të mallrave dhe shërbimeve, njoftoi Banka e Shqipërisë. Mbulimi i importeve të vendit në këtë masë është konform parametrave ndërkombëtare për rezervën valutore duke përfshirë edhe kriterin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas një studimi të BSH-së rezulton se, rezerva valutore ndaj importeve në vendin tonë është më e lartë se, mesatarja e rajonit. Në këto kushte shqetësimi në lidhje me kostot e mbajtjes së një niveli të lartë të rezervës valutore është më pak aktual, përkundrejt nevojës për sasi më të mëdha rezervash për përballimin e situatave emergjente. Treguesit e rezervës së vendeve të Europës Qendrore e Lindore kanë njohur një rënie të përgjithshme nga viti 2002, theksohet në analizën e BSH-së. Me gjithë këtë rënie, treguesit e vendeve si Serbia, Bullgaria, Kroacia apo Rumania konstatohet të jenë mbi nivelin mesatar të grupit të vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Treguesi i rezervës në Shqipëri ndaj borxhit të jashtëm afatshkurtër rezulton në nivele të kënaqshme krahasuar me vendet e rajonit. Po kështu, treguesi i rezervës ndaj PBB-së është ulur nga 16.3 për qind në vitin 2002, në 15.4 për qind në vitin 2008, rreth 2 pikë përqindje nën mesataren e vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Mbajtja e rezervës valutore në nivele të mjaftueshme, do të vazhdojë të jetë në fokusin e politikës monetare të BSH-së gjatë periudhës së ardhme, edhe në mungesë të marrëveshjeve formale me FMN-në. Autoriteti monetar ka mbajtur një nivel minimum të rezervës valutore të barabartë me të paktën vlerën e tre muajve importe. Në përfundim të marrëveshjes trevjeçare me FMN-në në janar të vitit 2009, rezerva valutore do të jetë subjekt i monitorimit të vazhdueshëm nga BSH-ja.
12 Janar 2010