Mungesa e së djathtës dështon Këshilli Bashkiak Vlorë
PD-ja e PDI-ja, të ndihmuar nga LSI-ja, dështojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Kundërshton PS-ja
VLORË - Dështon sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës. Mungesa e socialistëve në sallën e Parlamentit Shqiptar, po gjen kundërpërgjigje nga të djathtët në Këshillin Bashkiak të Vlorës, të cilët edhe dje nuk kanë marrë pjesë në mbledhje.
Këshilltarët e PD-së dhe PDI-së nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje, ndërkohe që këshilltarët e tjerë kanë kërkuar me forcë zhvillimin e mbledhjes, përfshi këtu edhe kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Këshilltarët kanë akuzuar direkt kryetarin e Partisë Demokratike të Vlorës, Ardian Kollozin, i cili, sipas tyre, ka dhënë urdhrin për bojkot.
Mbledhja e radhës së këshillit Bashkiak të Vlorës ka reflektuar qëndrimet e ndryshme politike ndërmjet dy grupeve të mëdha, përfshi këtu edhe atë të LSI-së, duke ndikuar kështu shtyrjen e saj për një datë tjetër.
Kërkesa ka ardhur nga përfaqësues të grupit të Partisë Demokratike dhe atyre të PDI-së, të cilët nuk e kanë parë të arsyeshme zhvillimin e saj në një ditë që ishte pushim zyrtar.
Me anë të një kërkese, e cila u lexua nga kryetari i Këshillit Bashkiak Arben Sinani, përfaqësuesit e opozitës në këshillin e Vlorës shprehnin rezervat në lidhje me lajmërimet, apo edhe mbledhjen e komisioneve, të cilat nuk ishin bërë të rregullta. Duke mos vlerësuar urgjente pikat që do të trajtoheshin dje, ata kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes për një datë tjetër.
Por i pari që ka kundërshtuar këtë qëndrim ishte kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Ai i ka quajtur të pabaza argumentet e sjella, duke shprehur keqardhjen që ato bëheshin prezent vetëm ditën e djeshme, në fillim të mbledhjes. Sipas tij, kjo mbledhje kishte kapërcyer afatet dhe ishte e njoftuar dhe data e miratuar.
Gjika e ka cilësuar këtë një qëndrim të pastër politik, për të krijuar pengesa për mosfunksionimin e këshillit. Këshilltarët socialistë në sallë kanë kërkuar gjithashtu zhvillimin e mbledhjes, pasi numri i pjesëtarëve kapte shifrën 24, kufi ky që lejonte zhvillimin normal të kësaj mbledhje.
Por në këtë pikë ka ndërhyrë kryetari i këshillit, Arben Sinani, përfaqësues i forcës politike të LSI-së, i cili ka komunikuar një datë të dytë për zhvillimin e mbledhjes. Kjo ka ndezur edhe debatet e këshilltarëve në sallë, të cilët janë shprehur se në mbledhjet e ardhshme do të kërkojnë mocion mosbesimi për kryetarin e këshillit.