E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Partitë të publikojnë donatorët privatë

Transparency International Albania kërkon sërish përmes një raporti transparencën e shpenzimeve elektorale të partive politike


TIRANË - Tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, partitë politike lënë për të dëshiruar sa u përket shpenzimeve gjatë fushatës elektorale. Ky është shqetësimi që ngre sërish Transparency International Albania në raportin e tij të fundit për financat dhe shpenzimet e partive politike gjatë fushatës elektorale.


Sipas kësaj organizate, nuk ka ende një informacion të plotë për donacionet private. "Informacioni ekziston vetëm për fondet e përftuara nga buxheti i shtetit, por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat nga donacionet private.


Në asnjë nga mjetet e informimit publik partitë politike nuk kanë deklaruar shumën totale të shpenzimeve të tyre gjatë kësaj fushate elektorale,"- thuhet në raportin e TIA-s.


Dje, në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i TIA-s në Shqipëri, Endri Shabani, i kërkoi qeverisë shqiptare publikimin e listës së personave juridikë, që kanë përfituar fonde publike ose kanë qenë partnerë me fonde publike gjatë katër viteve të shkuara më qëllim verifikimin e kontributit të këtyre subjekteve në fushatën zgjedhore. Sipas tij, publikimi i listës së kontribuuesve të fushatës elektorale është mënyra më e mirë për të kontrolluar respektimin e ligjit.


"Përdorimi i fondeve publike në fushatë është një shqetësim i shprehur si nga raportet e ndërkombëtarëve ashtu edhe media vendase, por publiku ende nuk di masën në të cilën është thyer ligji dhe përkatësisht Neni 3/pika 7 dhe Nenin 88 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale",- thuhet më tej në këtë raport.


Sipas TIA-s, partitë politike kanë publikuar vetëm fondet e përftuara nga buxheti i shtetit, por dispozita kushtetuese dhe Kushtetuta në fuqi parashikon publikimin dhe transparencën e burimeve financiare në çdo kohë përpara elektoratit.


Më tej, Transparency International Albania propozon hartimin e një ligji të plotë për financimin e partive politike, i cili të përfshijë jo vetëm atë që ndodh në fushatë, por edhe midis dy fushatave, duke synuar kështu respektimin e Nenit 9 të Kushtetutës.


Ndërkaq, kërkesat kryesore të kësaj organizate për partitë politike përfshijnë transparencën e fondeve të fushatës, atë për posterat e kandidatëve, si dhe programet elektorale.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›