E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e targave, gati plani për nxjerrjen nga qarkullimi të automjete të vjetra

Metropolit shqiptar po i mbarojnë targat dhe Drejtoria e Transportit Rrugor po shikon si zgjidhje reduktimin e tyre, të vendosura tek automjetet e vjetra. Shifrat zyrtare flasin për të paktën 126 mijë automjete të vjetra, që nuk qarkullojnë më për shkak të amortizimit, duke mbajtur peng targat. Projekti nuk ka përfunduar ende, por mësohet paraprakisht se do të hiqen nga qarkullimi targat A, B, C dhe D për Tiranën, duke parë mundësinë e zbatimit edhe në qytetin e Durrësit. Sipas drejtorisë që varet nga Ministria e Transporteve, heqja e automjeteve që mbajnë targat e katër germave të para të alfabetit do të jetë për një periudhë pesëvjeçare. Ndërkohë, Ministria e Transporteve po shqyrton variantet e përgatitjes së targave të tjera, që mund të jenë me më shumë shkronja, numra apo identifikime të tjera. Një ulje e ndjeshme vërehet dhe në importin e automjeteve të reja me kilometrazh zero. Shifra e këtyre automjeteve është rreth 50 për qind më e vogël se ajo e një viti më parë. Shkak për këtë është bërë kriza ekonomike botërore. Statistikat e Drejtorisë së Transporteve tregojnë se shqiptarët priren të blejnë automjete të reja, por kriza ekonomike në vendin tonë ka filluar të ndryshojë ndjeshëm shifrat e këtyre statistikave. Drejtuesit e automjeteve të vjetra shprehen se shkak për përdorimin janë çmimet e larta të automjeteve të reja. Shteti ka bërë amnisti për taksat që drejtuesit e automjeteve nuk i kanë paguar prej disa vitesh, por përdoruesit e automjeteve të vjetra kërkojnë dëmshpërblim në rast se shteti vendos të nxjerrë nga qarkullimi mjetin e tyre.

Ujësjellësi dyfishon çmimi e ujit për banorët e Tiranës

Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime në Kryeqytet kërkon rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, me anë të një kërkese drejtuar Entit Rregullator të Ujit. Qëllimi kryesor i kësaj kërkese është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Tiranës, nëpërmjet rritjes së investimeve në rrjetin e ujësjellësit. Kërkesa e Ujësjellësit të Tiranës vjen pas 6 vjetësh, ndërsa çmimi aktual i ujit është 20 lekë për m3. Ndërkohë banorët e Tiranës furnizohen me ujë vetëm dy herë në ditë. Tarifat e reja që propozohen nuk janë të njëjta për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Për popullatën Ujësjellësi kërkon rritjen deri në 40 lekë për m3. Ndërsa për entet buxhetore dhe ato private kërkohet një rritje deri në 120 lekë për m3. E vetmja kategori për të cilën Ujësjellësi i Tiranës nuk ka propozuar rritjen e çmimit, janë furrat e bukës. Çmimi i ujit të pijshëm për furrat e bukës qëndron i pandryshuar, me 95 lekë për 1 mijë litra ujë. Ujësjellësi i Tiranës bën krahasim me çmimet e qyteteve si Korça, Pogradeci, Rubiku, Delvina, Lezha, Fieri etj., ku siç dihet ndërmarrjet e Ujësjellësit në shumë prej këtyre qyteteve administrohen nga të huajt dhe garantojnë furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm. Sipas Ujësjellësit, këto rritje në çmime propozohen pasi ka planifikuar të bëjë disa investime të rëndësishme në ndërtimin e linjave të reja të transmetimit, me qëllim eliminimin e lidhjeve të paligjshme dhe mirë-administrimin e burimeve të ujit.

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›