E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema monopol shtrenjton gazin e lëngshëm me 30 për qind

Gazi i lëngshëm që përdoret gjerësisht për ngrohje dhe gatim është shtrenjtuar me rreth 30 për qind në tregjet e shitjes me pakicë. Në treg aktualisht një bombol 10 kilogramëshe shitet deri në 1300 lekë nga 1000 apo 1100 lekë që ka qenë rreth një muaj më parë. Shkaktari kryesor në rritjen e çmimit të gazit në tregun vendas është bërë situata dominuese e krijuar në 2 stacionet e mëdha të depozitimit të gazit në Vlorë dhe në Porto-Romano në Durrës. Importuesit e mëdhenj të gazit thonë se edhe çmimi i shitjes me shumicë është rritur mesatarisht 15-25 lekë për kilogramë. Arsye sipas tyre, është rritja e çmimit të gazit në tregjet ndërkombëtare. Importuesit thonë se 2 kompanitë që menaxhojnë depozitat e gazit kanë bllokuar depozitimin e gazit nga kompani të tjera importuese duke i detyruar ta blejnë këtë produkt prej tyre. Ata deklarojnë se kanë që nga qershori i vitit 2009 që nuk zhdoganojnë më mall. Ky fakt sipas importuesve pasqyrohet direkt me rritje çmimesh në tregun e brendshëm. Të dhëna nga vetë importuesit tregojnë se çmimet e shitjes me shumicë në Porto Romano dhe nga Petrolifera arrijnë mesatarisht 105 lekë/kg por duke i shtuar këtu edhe shpenzimet e transportit, të magazinimit dhe të shpërndarjes në pikat e pakicës nga shoqëritë importuese, ky çmim shkon deri në 110 lekë/kg. Ndërtimi i depozitave të gazit, ka pasur si qëllim sipas qeverisë të mbajë një ritëm të furnizimit të tregut, pa luhatje të çmimit, veçanërisht në kohë krizash.

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›