E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e ujit të ngrohtë, 15 mijë euro gjobë për FSHF-në

Dënimi i është dorëzuar organizmit që drejton futbollin në vendin tonë vetëm pak orë më parë dhe është argumentuar me “marrjen e masave të dobëta organizative në përfundim të ndeshjes eliminatore Shqipëri-Danimarkë”.

Barazimi historik përballë nordikëve u zbeh nga mungesa e kushteve minimale në dhomat e zhveshjes si edhe nga mungesa e ujit të ngrohtë në dushet e gjyqtarëve dhe të skuadrës mike menjëherë pas takimit të datës 9 shtator.

Ka qenë vetë gjyqtari turk i ndeshjes, turku Kuneit Çakir, i cili ka raportuar tek i deleguari i UEFA-s, Danilo Filakione, se në dhomën e tyre mungonte uji i ngrohtë. Delegati nga Italia u kërkoi shoqëruesve të FSHF-së zgjidhjen sa më shpejt të këtij problemi, duke e konsideruar të papranueshme një situatë të tillë.

Pas “xhaketave të zeza”, të njëjtin problem e patën edhe futbollistët dhe stafi teknik i Kombëtares së Danimarkës, të cilët u detyruan të largohen pa u larë nga stadiumi “Qemal Stafa”.

Ky skandal bëri jehonë jo vetëm në vend, por edhe në disa media ndërkombëtare. Delegati Filakione nuk e toleroi aspak këtë ndodhi, e cila diskrediton imazhin e vendit tonë në arenën europiane.

Kjo nuk është hera e parë që uji i ngrohtë nuk rrjedh nga dushet e impiantit më të madh në vend. Të njëjtën gjë e kanë provuar edhe lojtarët e Milanit. UEFA dhe FIFA e kanë theksuar disa herë mungesën e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në “Qemal Stafa”, duke kërcënuar se Shqipëria mund t’i luajë ndeshjet e ardhshme jashtë vendit.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›