E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa, tregu i Korçës shndërrohet në WC gjigande

14/07/2009  Torturohen më së shumti gratë tregtare, në dyshim ë madh dhe higjiena e mallrave që shiten

KORÇE- Mungesa e banjave në pazarin e Korçës që prej shumë kohësh mban nën torturë dhe shqetësim të përhershëm tregtaret femra, por në të njëjtin hall gjenden edhe meshkuj, pasi për ta nuk ekziston asnjë vend i posaçëm ku mund të kryejnë nevojat e tyre personale. Kjo gjë ndodh në tregun ku shiten fruta perime, ku tregtohet mishi, peshku, erëzat, piperi dhe mallra të tjerë ushqimorë. Ndodh aty ku kushtet higjienike duhet të plotësojnë standardet më të larta. Megjithatë, mungesa e banjave në këtë pazar nuk është një problem i ri, pasi prej shumë kohësh ka vijuar e njëjta situatë. Tregtaret femra dhe tregtarët meshkuj i kanë kërkuar bashkisë Korçë në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme ndërtimin e banjave, por nga kjo e fundit ka pasur gjithnjë heshtje dhe asnjëherë ndonjë përgjigje pozitive se si mund të zgjidhet halli i qindra tregtarëve.

Në kërkim të “vendit të posaçëm”

Për rrjedhojë era e amoniakut, bashkohet e përzihet me aromën e piperit, të rozmarinës dhe dafinës, duke dhënë një kundërmim të çuditshëm që nuk mund të gjendet në asnjë pazar të botës. Tashmë kur ditët e verës kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të nxehta tregtarët e fruta perimeve, por edhe tregtarët e mallrave të tjerë ushqimorë kanë nisur të ngrenë përsëri zërin duke i kërkuar sërish Bashkisë së Korçës ngritjen e disa banjave, pasi jeta e tyre po bëhet gjithnjë e më e padurueshme dhe sfilitëse. Veç kësaj, tregtarët e pazarit të Korçës i tremben përhapjes së ndonjë epidemie, pasi në mungesën totale të banjave gjithçka është e mundshme dhe aspak e çuditshme. Por e keqja nuk përfundon këtu. Nëse do të pyesësh tregtaret femra se si mund të durojnë moskryerjen e nevojave të tyre personale për 8 apo 10 orë është një “odise” e gjatë dhe tepër e mundimshme. Në raste të tilla, tregtareve femra u duhet të kërkojnë për gjetjen mundësisht në të një “vendi” ku nuk mund t’i shohë njeri tjetër.

“Nëse ndodh që je me dhimbje barku, atëherë është mirë që atë ditë të mos shkosh në pazar, sepse nuk do të kesh asnjë mundësi që t’i shpëtosh turpit”. Por çka është më e keqja shumica e tyre prekin ushqimet që ua shesin klientëve. Duket se në këtë pazar gjithçka është absurde, pasi është e pakonceptueshme se si mund të trajtohen në këtë mënyrë tregtarët e këtij qyteti, ku blejnë jo vetëm qytetarët e Korçës, por edhe familjet e drejtuesve të bashkisë. Në pazarin e fruta perimeve, aty ku shitet mishi dhe peshku, nuk mungojnë vetëm banjat, por edhe pastërtia e përgjithshme. Ambientet e tij (pazarit) janë gjithnjë të mbuluara nga papastërtia, ndërsa ambientet e çdo tregtari janë të mbuluara me copa plastmasi të grisura, ndërsa në çdo pëllëmbë vend gjen hedhurina që nga kutitë e kartonëve e deri te mbetjet e fruta perimeve të kalbëzuara. Pavarësisht nga të gjitha këto, tregtarët e fruta perimeve kanë ngritur përsëri zërin e tyre. Ende nuk dihet se cila do të jetë përgjigjja e bashkisë, nëse do të gjejë një zgjidhje apo do ta kalojë sërish në heshtje. Deri atëherë qytetarët korçarë do të blejnë fruta perime, por sigurisht “do të blejnë” edhe mungesën e banjave.

MUNGESAT

Mungesa e banjave në pazarin e Korçës që prej shumë kohësh mban nën torturë dhe shqetësim të përhershëm tregtaret femra, por në të njëjtin hall gjenden edhe meshkuj, pasi për ta nuk ekziston asnjë vend i posaçëm ku mund të kryejnë nevojat e tyre personale.

HIGJIENA

Por çka është më e keqja shumica e tyre prekin ushqimet që ua shesin klientëve. Duket se në këtë pazar gjithçka është absurde pasi është e patpolerushme se si trajtohen në këtë mënyrë tregtarët e këtij qyteti, ku blejnë jo vetëm qytetarët e Korçës, por edhe familjet e drejtuesve të bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›