Alarmi: Tirana ka 180 metra katrorë beton për frymë
Kryeqyteti shqiptar renditet i dyti më i betonizuari në Europë, krah Bukureshtit të Rumanisë dhe Varshavës së Polonisë. Ky është përfundimi që ka nxjerrë Agjencia Europiane për Mjedisin në raportin e saj për përdorimin pa kriter të hapësirave urbane. Raporti i kësaj Agjencie vëren se në Tiranë ka nivele alarmante të shpërndarjes pa kriter të ndërtimeve, zhdukjes së tokave bujqësore e pyjeve dhe urbanizimit të lartë. Të dhënat janë të frikshme, pasi raporti mes betonit dhe hapësirës së gjelbër është në nivele alarmante e shokuese. Sipas raportit, 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë hapësirë të gjelbër, për çdo banor të Tiranës. Në këtë pikë jemi edhe më keq se Bukureshti, që zë vendin e parë për betonizimin në këtë raport. Në Tiranë betoni shtohet më shpejt sesa në Bukuresht, krahasuar me rritjen e popullsisë. Sipas kësaj agjencie, intensiteti i përdorimit urban të hapësirave të banueshme ka ndryshuar shumë përsa i përket popullatës. Edhe në Europë, popullsia është rritur shumë, por ndërtimet urbane janë shtuar disa herë më shumë se numri i banorëve. Gllabërimi i përqindjeve të panumërta të sipërfaqeve tokësore përmes lëshimit pa kriter të lejeve të ndërtimit nga ana e Bashkisë, zhdukja e sipërfaqeve të gjelbra, po e kthen kryeqytetin në një masiv betoni, që për më tepër i bllokon frymëmarrjen të gjithë kryeqytetasve. Sikur të mos mjaftonte kjo, një raport i kohëve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se çdo qytetar i Tiranës humb 1 deri në 2 vjet jetë nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit që vjen vetëm si pasojë e punimeve në qendër të qytetit. Dhe në fakt po të bazohemi në nivelet alarmante të ndërtimeve pa kriter në kryeqytet dhe planet e mëtejshme të Bashkisë së Tiranës, është e paktë të thuhet që niveli i ndotjes në Tiranë do të ulej dhe do të ishte e tepërt të shpresohej për përmirësim të jetesës në metropolin shqiptar.