Mungojnë banjat publike, 99 oturakë në dyert e bashkisë
Një grup të rinjsh me 99 oturakë të lyer me ngjyra të ndryshme kanë protestuar dje në mesditë në dyert e Bashkisë së Tiranës. Qëllimi i protestës së këtyre të rinjve të organizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ishte kundërshtimi, sipas tyre, i politikave të deritanishme të drejtuesve bashkiakë për privatizimin e çdo hapësire dhe shërbimi publik në kryeqytet. "Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, prej muajsh po proteston ndaj Bashkisë Tiranë dhe institucioneve të tjera për lënien pas dore dhe privatizimin absurd të shumë shërbimeve publike që meritojnë qytetarët e Tiranës", u shpreh drejtuesi i ZMK-së, Altin Goxhaj. Me performancën e oturakëve të lyer me ngjyrat e ylberit, përfaqësuesit e ZMK-së shpjeguan se, "duke krijuar një barrikadë ylberi do të pengonin kryebashkiakun Rama që të dilte nga dera kryesore e bashkisë për të realizuar një konferencë shtypi në selinë e Partisë Socialiste". "Kjo protestë u lançua këto ditë në FACEBOOK, në faqen më të madhe online në botë, dhe aktivistët që iu bashkuan protestës, ÇUNAT E FACEBOOKUT, realizuan një parodi të lyerjes së oturakëve publikisht, njësoj siç ka lyer bashkia me ngjyrat e ylberit Tiranën e shkretimit të hapësirave të gjelbra, ku pa lyer kanë ngelur vetëm oturakët që duhet të mbajnë qytetarët shqiptarë, kur vijnë në Tiranë", u shpreh kreu i ZMK-së, Altin Goxhaj. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka vijuar protestën e saj ndaj Bashkisë së Tiranës, pas atyre që i konsiderojnë "privatizime absurde të shërbimeve publike". Sipas ZMK-së, i tillë ishte rasti gjatë pranverës në lidhje me gjendjen skandaloze të linjave të transportit urban në Tiranë. Kjo zyrë paraqiti një dosier akuzash publike që i bëheshin Bashkisë së Tiranës për kërkesën e rritjes së çmimit të biletave dhe dhënien privatëve, të cilët, thekson ZMK, e afrojnë këtë shërbim në mënyrë krejtësisht skandaloze për qytetarët. Sipas Goxhajt, protesta e ZMK-së synonte sensibilizimin e qytetarëve të Tiranës dhe pushtetarëve lokalë për absurditetin e kësaj situate unike në botë, "për një realitet ekstrem në të cilin po e zhyt kryetari i Bashkisë, Rama, qytetin tonë, ku çdo metër katror publik po i jepet privatit për pallatizim, ku, sipas planit bashkiak, nuk do të ketë më asgjë publike njësoj siç propagandojnë teoritë e ekstremit të djathtë liberal në botë". Nga ana tjetër, nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi, ka hedhur poshtë pretendimet e ZMK-së, duke e konsideruar protestën e tyre si pjesë të luftës politike, madje duke i vënë edhe emrin e LSI-së. Ndërsa ka thënë se "ka ikur koha e banjave publike dhe ka ardhur koha e banjave kimike. Me vjen keq që nuk mbrohen interesat e konsumatorëve, por bëhen protesta për forca politike".