E Diel, 1 Nëntor 2026

Drama e jetës së Anna Bolenës, vjen në skenën e TKOB me zëra lirikë

Vepra e Donizzetit, premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit

Në vijim të sezonit artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen premiera Anna Bolena, një opera me dy akte. Muzika mban emrin Gaetano Donizzeti, ndërsa libreti është shkruar nga Felice Romani. Vepra premierë me muzikë nga një kompozitor

i njohur italian vjen në skenën shqiptare nga emër tjetër i huaj, regjisorja Eleonora Paterniti, ndërsa skenografia nga Platon Bardhi. Kostumet për këtë vepër janë përgatitur nga Sartoria Arrigo, dirigjent kori Dritan Lumshi, mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre Marco Berdondini, po ashtu i ftuar është dhe tenori i njohur italian Marco Frusoni. Vepra do të vijë para publikut në datat 6, 8,11dhe 13 qershor në ora 19.00. Një nga veprat e vështirësive të mëdha të belkantos, opera Anna Bolena (1501- 1507, Torre di Londra, 19 maj 1536), Anna Bolena qe gruaja e dytë e mbretëresha bashkëshorte e Enrikut VIII, veç faktit që ishte nëna e mbretëreshës Elisabetta I d'Inghilterra. Martesa e saj me Enrikun e VIII-të, qe shkaku i tronditjeve të mëdha politike dhe religjioze. Drama e operës është bazuar në ditët e fundit të jetës së Anna Bolenës, e cila  do të vdesë me dëshirën e të shoqit të saj, duke u akuzuar për tradhti bashkëshortore, incest, magji. Anna i kaloi ditët e fundit të jetës së saj mbyllur në kullën e Londrës. Ajo u betua dy herë mbi sakramend se ishte e pafajshme për të gjitha akuzat i ishin bërë. Në vepër do të interpretojnë kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB. Në skenë për publikun do të ngjiten solistët Marjana Leka, Armando Likaj, Vikena Kamenica, Eduard Sokoli, Marco Frusoni, Rudi Sata, Lindita Kola, Erlind Zeraliu etj. Në këtë sezon artistik Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka prezantuar një repertor të pasur qofshin këto balete, opera apo dhe koncerte. Në vijim të aktivitetit të tij para dosa kohësh erdhi një tjetër vepër operistike, e cila ishte dhe premierë botërore në skenën shqiptare. Artisti i njohur shqiptar David Tukiçi prezantoi përpara publikut shqiptar krijimin e tij të parë operistik La vitta e sogno (Jeta është ëndërr), një vepër lirike që ai e ka kompozuar mbi dramën e Pedro Calderon de la Baca, dramaturg spanjoll. Jeta është ëndërr është shkruar nga Pedro Calderon De la Barca në vitet 1500, një legjendë ku përthyhen sakrifica njerëzore për liri, mesazhe religjioze ndaj dëmit që vjen prej sjelljesh të pakontrolluara, dhe shpërdorimit të lirisë. Në skenën shqiptare të Teatrit të Operës dhe Baletit opera erdhi si premierë në datat 29, 30 prill dhe më pas në datat 1 dhe 2 maj. Koreografia nga Agron Aliaj, nën interpretimin e trupës së baletit të TKOB-së dhe skenografia realizuar nga Genc Shkodrani sollën një vepër me vlera artistike. Si legjendë me tre akte dhe një nga veprat më të publikuara si dramë në vendet e Europës Lindore, kjo premierë erdhi e ndërtuar si opera dhe balet dhe artikuloi në skenë mëdyshjen mes fatit të parashkruar nga vullneti hyjnor dhe lirisë së zgjedhjes për jetën, me qëllimin sublim për të ndryshuar rrjedhën negative të fakteve, pasi në fund të fundit është dashuria ajo që triumfon. Kjo dramë nuk ishte muzikuar asnjëherë, ndërkohë që ishte vepra më e publikuar dhe prezantuar në Europë, veçanërisht në vendet ku mbizotëronte regjimi socialist, duke qenë se Calderon ka zgjedhur Poloninë si vendin ku zhvillohen ngjarjet e dramës, e ndërkohë që ajo edhi si premierë botërore në skenën shqiptare. E ndërkaq që edhe Anna Bolena pritet të jetë një tjetër sukses në vijim të sezonit artistik të TKOB. Kasti i artistëve të cilët po punojnë për këtë premierë premton për diçka të tillë.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›