E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon Rama, por dhe Harasani e Islami

27/09/2011  Deputetët socialistë Malaj e Bello koktej me verë dhe fruta me rastin e ditëlindjes

Malaj: Vonesa në miratimin i ligjeve me 3/5 cenon integrimin e vendit

Ligjvënësit socialistë festuan dje në selinë e Partisë Socialiste, por pa praninë e kryetarit Rama. Pas diskutimeve lidhur me seancën parlamentare të radhës në takimin e së hënës, deputetët socialistë festuan ditëlindjen e dy kolegëve të tyre Marko Bello dhe Arben Malaj. Ishin këta dy deputetë që me rastin e 50-vjetorit shtruan një koktej për grupin parlamentar socialist. Në fakt, ditëlindja e tyre ishte të hënën që shkoi, por dy deputetët preferuan të festonin kësaj jave me pjesën tjetër të këtij grupimi. Në koktejin e shtruar për një ditë të tillë u vu re mungesa e kryetarit të PS-së Edi Rama dhe e deputetëve Andis Harasani, Kastriot Islami, Ben Blushi.

Takimi

Grupi parlamentar i PS-së zhvilloi dje mbledhjen e tij të radhës, të drejtuar nga kreu i këtij grupit Gramoz Ruçi. Gjatë këtyre diskutimeve, ku u përcaktua axhenda e zhvillimeve në seancën parlamentare të së enjtes, u trajtua dhe pakti për Shqipërinë si Europa. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se deputeti Arben Malaj kërkoi sqarime lidhur me një çështje të tillë. Sipas tij, lidershipi socialist duhej të kishte trajtuar që në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare këtë nismë, me qëllim që pakti të merrte miratimin e këtij forumi. Madje, në këtë kontekst, deputeti socialist ka kërkuar që të mblidhet asambleja dhe të diskutojë e të miratojë një pakt të tillë. Por kundrejt këtij pretendimi, kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi ka argumentuar se vetë statuti i PS-së i jep të drejtë kryetarit dhe kryesisë që të miratojnë dokumente të tilla.

Deklarata

Në përfundim të takimit, si dhe të koktejit, deputeti Malaj deklaroi gjatë një prononcimi për shtyp qëndrimin e tij mbi fatin e ligjeve që kërkojnë 3/5. “Nuk duhet ta fshehim faktin se mosmiratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, ku mungonte përgjegjshmëria edhe e mazhorancës, qoftë duke u lodhur në dëshirën për të bashkëpunuar, tashmë e humbi rëndësinë imediate për të bindur lidershipin në Europë se politika shqiptare kishte vënë prioritetet e vendit mbi debatet e brendshme politike. Nuk jemi në të njëjtin presion. Natyrshëm çdo vonesë e mëtejshme për ligjet që janë të përqendruara në reforma të rëndësishme në gjyqësor dhe ekonomi duhet eliminuar në mënyrë maksimale”, - vlerësoi Malaj.

Malaj për paktin

“Është koha që patjetër të diskutohet për të dalë nga kjo krizë permanente dhe për të krijuar një shpresë të re për reforma thelbësore që ka vendi. Në këtë kontekst, çdo iniciativë për një pakt plotëson diçka që mungon në ambientin politik shqiptar”, - u shpreh Malaj duke iu referuar 10 pikave të propozuara për mazhorancën parlamentare nga ana e lidershipit socialist.

Harasani e Islami

Dy deputetët socialistë të njohur si kundërshtarë të kryetarit të PS-së Edi Rama, konkretisht Andis Harsani dhe Kastriot Islami, nuk morën pjesë në mbledhjen e djeshme të grupit kuvendor në të cilin ato bëjnë pjesë. Mungesa e tyre koncidoi pikërisht me ditën kur kolegët e tyre Arben Malaj e Marko Bello do të shtronin koktejin me rastin e 50-vjetorit.

Mungesa e Ramës

Prej disa ditësh kryetari i PS-së Edi Rama nuk ndodhet në Shqipëri. Mësohet se vizita e tij jashtë vendit lidhet me arsye personale. Ndërkohë që mungesa e tij u vu re dhe dje jo vetëm në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar të kësaj partie, por dhe në koktejin e shtruar nga Malaj e Bello. Por mungesa e tij nuk ndikoi aspak në këto festime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›