E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon avokati, shtyhet gjyqi i Vasillaq Bollanos

Shtyhet seanca e gjyqit ndaj Vasillaq Bollanos, kryebashkiakut të Himarës, e cila ishte parashikuar të zhvillohej dje në orën 10:00. Mësohet se shkak është bërë mungesa e avokatit mbrojtës në sallën e gjyqit. Avokati Petraq Curri ka depozituar në sekretari e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, një njoftim ku sqaronte se ishte i angazhuar në një gjyq në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Përfaqësuesi i palës së akuzës, Sokol Malaj, ka kërkuar shtyrjen e seancës. Përballë këtij fakti, trupi gjykues ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet në datën 7 prill në orën 09:00. Në seancën e djeshme pritej që pala mbrojtëse të thoshte fjalën e saj dhe më pas gjykata të merrte vendimin. Mbi Bollanon rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës", pas urdhrit që ka lëshuar për heqjen e tabelave në aksin rrugor Llogora-Qeparo, me pretendimin se ato janë vendosur pa lejen e Bashkisë së Himarës. Prokurori i çështjes, Sokol Malaj, në pretencën e tij ka kërkuar dënimin e Bollanos me një vit burg dhe me gjobë prej 500 mijë lekësh. Në të gjitha seancat e zhvilluara deri më tani, Vasillaq Bollano nuk ka marrë pjesë dhe është përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës, Petraq Curri, i cili nga ana e tij nuk ishte bërë asnjëherë shkak për shtyrjen e seancave, përveç rastit të djeshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›