E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon shiriti i inaugurimit, badigardët nxjerrin një rezervë

Me "shpejtësinë" e internetit mund të konsiderohet axhenda e takimeve të Kryeministrit Berisha dje në qytetin e Elbasanit. Përurime rrugësh, takime në shoqëri biznesi dhe jehona e ftesës për në NATO, mund të grupohen të gjitha takimet e Kryeministrit. Pas një përqafimi me kreun e Komunës së Bradasheshit, Sabri Sollaku, Berisha ka prerë shiritin e parë të takimeve të tij e në të njëjtën kohë ka uruar gjithë komunitetin e kësaj komune për rrugën e re, që nga kthesa e Kusarthit deri afër gurores së Letanit, mbi fabrikën e çimentos ECF. Një aks rrugor ky mbi pesë kilometra, i asfaltuar rishtas me fondet komunare që ka marrë "bekimin" e Kryeministrit, duke bërë si shembull Komunën e Bradasheshit si ndër të vetmet në vendin tonë që ka ditur të thithë fonde e të përdorë me nikorqillëk të ardhurat lokale për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Është për t‘u theksuar se kjo komunë, me fondet e veta, ka mundur të asfaltojë rreth 50 kilometra rrugë në të gjitha fshatrat e juridiksionit të saj. Më pas, Kryeministri, i shoqëruar edhe nga kryeparlamentarja Topalli, e përfaqësues të pushtetit vendor në Elbasan, kanë vizituar fabrikën e letrës, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, uzinën e ferrokromit që ka ndërruar pronarin nga italian në rus dhe gjithë suita është "derdhur" në lagjen "Fushë-Mbret". Përurimi i një prej akseve rrugore me fonde buxhetore dhe të ardhurat e Bashkisë së Elbasanit, ka "bashkuar" kryebashkiakun Sejdini me Kryeministrin, ku pas një shtrëngimi duarsh, është prerë dhe shiriti i kësaj rruge rreth një kilometër. I njëjti ritual edhe në rrugën përballë godinës së SHIK-ut, por "incidenti" i mungesës së një shiriti, "harresë" e kryebashkiakut, është zgjidhur nga trupa shoqëruese e tij, që kanë nderë një shirit të kuq rezervë. Ndërkohë, Kryeministri ka përgëzuar firmën ndërtimore për rikonstruksionin e Universitetit "Aleksandër Xhuvani", për cilësinë e punimeve dhe tempin e punimeve, duke sugjeruar që firma të tilla mund të merreshin si etalon i rikonstruksionit të shumë godinave shkollore në Elbasan. Takimi më i gjatë është organizuar në kinema "Millenium" me rastin e "promovimit" të ftesës së Shqipërisë për në NATO. Qindra të pranishëm në sallë nuk kanë ngurruar të duartrokisnin dhe të brohorisnin për Berishën dhe qeverinë e tij, rreth kësaj date historike që integron vendin tonë në strukturat euroatlantike. Prej disa javësh, Kryeministri Berisha ka ndërmarrë një tur në rrethe të vendit me sloganin "Shqipëria në NATO". Tur i cili po shoqërohet me prerje të shumta shiritash. Diku të realizuar në kohë, pasi janë përfunduar punimet dhe diku tjetër të përgjysmuara, pasi për arsye të ndryshme firma nuk ka arritur të shkojë deri në fund të projektit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›