Rama: Politika nuk duhet të jetë peng i Sali Berishës
"Dialogu me Shqipërinë" i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, ka vazhduar dje në veri të vendit, në fshatrat Shkrel dhe Bajze të Qarkut të Shkodrës. Gjatë fjalës së tij, kreu i socialistëve ka bërë thirrje për ndryshimin tërësisht të këndvështrimit të qytetarëve ndaj politikës, e cila, sipas Ramës, duhet të ketë në qendër qytetarin dhe jo politikanin. "Të shohim si të mundur bashkimin mes socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, të cilët nuk duhet që në asnjë mënyrë të mbeten peng i një historie, që ka si protagonist Kryeministrin e vendit tonë", është shprehur Rama. Bashkëbisedimi vijoi edhe në takime spontane në lokale të ndryshme, në fshat, duke diskutuar për problemet e bujqësisë, varfërisë së skajshme të fshatit dhe mungesës së punës në blegtori e bujqësi. Në Bajze, Edi Rama foli për një energji të re, si fuqi për ndryshimin e së ardhmes. Ne, tha Rama, duhet ta përdorim politikën si një instrument që u përket të gjithëve dhe jo vetëm një grushti politikanësh, të mbyllur në kutinë e televizorit.