E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Berisha, gara e numrave në Parlament për dekretet

Berisha dhe Topalli nuk i kanë votat e duhura për të rrëzuar dekretet e Presidentit Bamir Topi për Gjykatën e Lartë në Kuvend. Pas marrëveshjes së parealizuar gjatë takimit mes kreut të shtetit dhe dërgatës së PD-së, Patozi dhe Bano, beteja është transferuar në sallën e Parlamentit, ku realisht kreu i selisë blu nuk e zotëron shifrën "magjike" 71. Të paktën teorikisht.

Java në vazhdim do ta detyrojë shefin e qeverisë të lobojë fuqishëm për të mbajtur mazhorancën në këmbë, por edhe për të përballuar sfidën e Presidentit Topi. Shefit të qeverisë i duhen 71 vota për të hedhur poshtë kandidatët për gjyqtarë të përcaktuar nga kreu i shtetit. Aktualisht Berisha ka vetëm 58 vota të sigurta kundër dekreteve të Presidentit Topi. Vota kundër e avokatit Spartak Ngjela, deputetit Besnik Mustafaj dhe Gilman Bakallit, ka bërë që Partia Demokratike të ketë vetëm 53 vota në favor të qëndrimeve të Kryeministrit, njëkohësisht kryetar të PD-së. PAA, PDR dhe PBLD, të cilët kanë shprehur luajalitetin e hapur me kreun e qeverisë, kanë vetëm 5 vota në Kuvend, çka e çojnë numrin e votave kundër dekreteve të Presidentit në 58. Nëse qëndrimit të Berishës i bashkohen edhe republikanët, të cilët janë treguar luajalë në lidhje me emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, atëherë ky numër shkon në 69. Megjithëse ende jo i bërë publik, qëndrimi i republikanëve është më shumë në favor të Kryeministrit, sesa nga ana e kreut të shtetit. Gjithsesi vlen të theksohet se PR ende nuk ka një qëndrim përfundimtar mbi mënyrën sesi do të votojë në Kuvend. Por duket se 69 është numri tek i cili ka ngecur Kryeministri Berisha. Demokristianët hakmerren ndaj Kryeparlamentares Topalli duke votuar kundër Berishës dhe pro Topit. Qëndrimin pro dekreteve të Presidentit e konfirmon edhe kryetari i LDK-së, Nikoll Lesi. Kriza që ka përshirë mazhorancën, ka përçarë votat e të djathtës në Kuvend. Kampi i djathtë realisht nuk ka votat e duhura për të qenë një mazhorancë, ndërkohë që sfida e radhës së Kryeministrit është jo vetëm të dalë më "i fortë" se Presidenti, por edhe të tregojë se qeveria që ai drejton është një mazhorancë në Kuvend.

Duket se kjo është bërë shkak për vonesën e Kryeparlamentares për firmosjen e dekreteve për të kaluar pesë emrat e propozuar prej Topit për Gjykatën e Lartë në Kuvend. Kryeministri Berisha, i trembur nga lëkundjet që ka pësuar mazhoranca, druhet se mos humbet betejën me Presidentin Topi. Kryeministri apo Presidenti? Do të jetë pikërisht Kuvendi ai që do të tregojë se cili nga këta të dy është më "i forti". Pas kalimit të disa betejave, ku ndër të cilat përfshihen edhe ndryshimet në Kushtetutë, këtë herë Kryeministri Berisha e ka shumë të vështirë për të siguruar numrin e duhur të votave për të rrëzuar dekretet e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Presidenti dy ditë më parë i ka përcjellë mesazhin Kryeministrit, ku i ka treguar vendosmërinë e tij për të mos u tërhequr nga dekretet e tij, duke i thënë nëpërmjet kreut të grupit kuvendor të PD-së që të sigurojë 71 vota për t‘i rrëzuar emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë në Kuvend. Negociatorët e PD-së i kërkuan Presidentit të tërhiqej nga dekretet e tij, por ky i fundit u ka bërë me dije se nëse nuk i pëlqejnë emrat e propozuar për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, atëherë le t‘i rrëzojnë ato në Gjykatën e Lartë. Përplasja Topi-Berisha është kthyer në një lojë nervash mes dy zyrtarëve më të lartë të vendit, i cili është nën vëzhgimin intensiv të ndërkombëtarëve. Duket se Presidenti Topi po i shkon deri në fund betejës, duke i bërë oponencë Kryeministrit për të mos pranuar vendimet e tij radikale, por t‘i hedhë në votim në Kuvend dhe le të jetë Kuvendi ai që do të përcaktojë nëse dekretet do të rrëzohen apo do të miratohen.

Votat

Demokristianët hakmerren ndaj Kryeparlamentares Topalli, duke votuar kundër Berishës dhe pro Topit. Qëndrimin pro dekreteve të Presidentit e konfirmon edhe kryetari i LDK-së, Nikoll Lesi. Kriza që ka përshirë mazhorancën ka përçarë votat e të djathtës në Kuvend

Negociatat

Presidenti s‘tërhiqet nga dekretet

Demokratët kanë dalë duarbosh nga Presidenca. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka përcjellë pas më shumë se dy orësh takim në Presidencë Astrit Patozin dhe Ilir Banon, me mesazhin për Kryeministrin, se nuk do të tërhiqet nga dekretet për Gjykatën e Lartë. Duke sfiduar Kryeministrin, por edhe mazhorancën, kreu i shtetit i ka përcjellë mesazhin Kryeministrit Berisha që të kërkojë të gjejë 71 vota për të rrëzuar dekretet e Topit në Kuvend. Në këtë mënyrë kanë dështuar negociatat mes PD dhe Presidentit Bamir Topi për të tërhequr dekretet e kreut të shtetit për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Negociatorët e PD përveçse i përcollën Presidentit qëndrimin kritik të Kryeministrit Berisha për faktin se kreu i shtetit nuk është konsultuar me Kryetaren e Kuvendit për caktimin e kandidaturave për Gjykatën e Lartë, kanë marrë me vete edhe mesazhin e Presidentit për kreun e qeverisë, se dekretet e tij duhet të rrëzohen në Kuvend me 71 vota, pasi kreu i shtetit i ka treguar dje vendosmërinë nënkryetarit të PD-së për të mos u tërhequr nga kandidaturat e propozuara prej tij në Gjykatën e Lartë. Deputetët e PD-së kanë dalë të pakënaqur nga takimi me Presidentin Topi, i cili është treguar i vendosur për t‘u shkuar deri në fund pesë propozimeve që ai ka bërë për Gjykatën e Lartë.

Shifrat në Kuvend

Përplasja Berisha-Topi në Parlament

Partia Demokratike

56 deputetë

3 pro Topit

53 pro Berishës

Partia Socialiste

42 deputetë

Votat kundër Berishës

Partia Republikane

11 deputetë

Votat në pikëpyetje

Partia Demokristiane

8 deputetë

Pro Topit

Partia Socialdemokrate

7 deputetë

Votat kundër Berishës

Lëvizja Socialiste për Integrim

5 deputetë

Votat kundër Berishës

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

3 deputetë

Pro Topit

Lëvizja Demokristiane

1 deputet

Pro Topit

Partia Aleanca Demokratike

1 deputet

Pro Topit

Partia Agrare

2 deputetë

Pro Berishës

Partia Bashkimi Liberal Demokrat

1 deputet

Pro Berishës

Partia Demokrate Reformatore

2 deputetë

Pro Berishës

Partia Demokracia Sociale

1 deputet

Kundër Berishës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›