Vasili: KQZ-ja të pushojë së funksionuari
LSI-ja është acaruar mjaft nga vendimi i marrë prej KQZ-së për mosrealizimin e referendumit për ndryshimet në Kushtetutë. Gjatë një konference për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka kërkuar që KQZ-ja duhet të pushojë se funksionuari në formën, përbërjen dhe mungesën e pozicionimit të saj ligjor, në mënyrë që ajo të mos vazhdojë të dëmtojë më tej demokracinë në Shqipëri. Sekretari i LSI-së ka theksuar se ata e mbështesin plotësisht qëndrimin e bërë publik nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe nuk do të ketë asnjë hap prapa, që shqiptarët të thonë nëpërmjet referendumit vendimin e tyre për Kushtetutën e turpshme diktatoriale të 21 prillit. LSI-ja vlerëson se një KQZ e tillë, e cila bekoi zgjedhjet e turpshme të Dushkut të 3 korrikut 2005, që prodhuan katrahurën kushtetuese të 21 prillit, si dhe që guxoi nëpërmjet 8 inkuizitorëve anëtarë të saj t‘i kundërvihej vullnetit të qindra mijëra shqiptarëve, përbën një rrezik kryesor për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Vendimi i marrë më 5 qershor nga KQZ-ja, sipas LSI-së, e vë këtë institucion në një pozicion edhe më negativ se sa institucionet e periudhës 1992-1997, kur me gjithë represionin e pashembullt të Berishës në atë kohë, se paku popullit iu dha e drejta për t‘u shprehur për Kushtetutën. Duke mos lënë jashtë sulmit politik edhe Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Vasili, thekson më tej se "kjo KQZ, tërësisht e kapur nga Berisha dhe Rama, është bërë zëdhënëse e vendosjes së një oligarkie politike të dy personave në dëm të të gjithë shqiptarëve dhe demokracisë në vend, duke u shndërruar në antitezën e votës së lirë dhe të respektimit të vullnetit të popullit të shprehur me votë". Duke rikonfirmuar qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese të bëra nga marrëveshja e arritur mes PD-së dhe PS-së, të cilat, sipas LSI-së, nxorën jashtë loje KQZ-në nga ana Kushtetuese, Vasili thekson se "KQZ-ja natën e 21 prillit, kur u ndryshua në themel Kushtetuta e duke e lëne pa asnjë status, pra një institucion që nuk njeh më vetveten, mori përsipër t‘i kundërvihet vullnetit të popullit vetëm e vetëm për të shtyrë edhe disa ditë qëndrimin dhe rrogën tashmë të pamerituar, që taksapaguesit shqiptarë paguajnë nga djersa e tyre". LSI-ja, e mbështetur edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile para pak javësh, krijoi Komitetin e Mbrojtjes së Kushtetutës, në krye të së cilës u vendos gazetari Artur Zheji. Të mbështetur edhe nga disa parti politike të majta, si dhe nga LZHK-ja, ata ndërmorën takime politike në qytete dhe fshatra të ndryshëm, për t‘iu kujtuar se është në të drejtën e tyre të vendosin nëse janë për të kryer ndryshime në Kushtetutë apo jo. Këto ndryshime, sipas drejtuesve të Komitetit të Shpëtimit të Kushtetutës, nuk mund të bëhen sepse kështu dëshirojnë dy kryetarë partish.