E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mungon strategjia kundër korrupsionit”

29/10/2009  Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni komentoi raportin e Europolit

Apeli, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të analizojë me imtësi raportin

Raporti i fundit vjetor i Europolit solli një reagim të ashpër dhe mjaft kritik të Partisë Socialiste në adresë të qeverisë “Berisha”. Kështu, marrë shkas nga vlerësimet e bëra në këtë raport mbi përmasat e krimit të organizuar në vend, përfaqësuesit socialistë nuk vonuan t’ia faturonin qeverisjes aktuale të gjitha përgjegjësitë, sa i takon një situate të tillë. Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, duke u ndalur në një raport të tillë, veçoi si më shqetësuese në të rritjen e gamës dhe fuqisë së krimit të organizuar shqiptar. “Partia Socialiste denoncon paaftësinë e qeverisë, por ajo çka është më e pafalshmja, mungesën e vullnetit për të ndërtuar strategji dhe zhvilluar një luftë pa kompromis ndaj këtij rreziku, që kanos demokracinë dhe institucionet demokratike në Shqipëri, dhe e konsideron atë si një pengesë serioze drejt realizimit të aspiratave të popullit shqiptar për t’ju bashkuar familjes evropiane”, vlerësoi Gjoni gjatë fjalës së tij. Por njëkohësisht, deputeti socialist nuk vonoi të shfaqë pozicionin e saj përballë sfidave të rëndësishme për vendin. “Nuk është opozita dhe lufta e saj në mbrojtje të një të drejte të patjetërsueshme, siç është e drejta e lirisë së votës, ajo që po pengon dhe po vonon integrimin e Shqipërisë në strukturat e BE-së, por kjo qeveri, e cila çdo ditë keqpërdoron rrugën evropiane të Shqipërisë, dhe që nga ana tjetër është kapur nga krimi i organizuar, korrupsioni qeveritar e familjar”, nënvizoi Gjoni. Për këtë arsye, Partia Socialiste i bëri thirrje Presidentit të Republikës të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të analizojë me imtësi këtë raport.

Kritikat

Raporti veçonte katër elementë të rinj në veprimtaritë e grupeve kriminale shqiptare, përkatësisht: përfshirja në rrjetin e shpërndarjes së kokainës, kthimi i Shqipërisë “si bazë për grumbullimin dhe shpërndarjen e heroinës në BE”, rritja e veprimtarisë trafikuese të grupeve kriminale shqiptare sidomos në trafikimin e personave për punë të detyruar, kryesisht në sektorët e ndërtimit, prodhimit të drogave dhe lypjen. Risi është shtimi i trafikimit të fëmijëve për qëllime shfrytëzimi seksual e skllavërie ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›