E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëkati i shpërthimit të korruptuar në Gërdec

29/10/2009  Nis gjyqi më i rëndësishëm i vitit. Prokuroria: Tragjedia si pasojë e “gabimit njerëzor”

Lexohet kërkesa prej 140 faqesh, do të pyeten në seanca rreth 100 dëshmitarë

TIRANË- Tragjedia e Gërdecit është gabim njerëzor. Ky ka qenë konkluzioni i nxjerrë dje nga organi i akuzës pas leximit të kërkesës për gjykim në gjykatën e Tiranës. Fillon procesi gjyqësor kundër 28 të pandehurve të çështjes “Gërdeci”. Dje për gati pesë orë Prokuroria arriti të lexojë kërkesën për gjykim, ndërkohë do të pyeten në cilësinë e dëshmitarëve rreth 100 persona. Për herë të parë në seancën e djeshme, pas vendimit të pushimit të gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, prokurorët u shprehen se Fatmir Mediu nuk mund të quhet i pandehur, por thjeshtë një shtetas. Mbizotërojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës” e “falsifikimit”, ndërsa 4 prej tyre akuzohen për “vrasje masive”. Prokuroria tha dje se nga përllogaritjet rezulton se dëmi material i shkaktuar arrin në shifrën e 1.4 miliardë lekë. Gjykata në fillim të seancës rrëzoi 14 kërkesat paraprake të të pandehurve në këtë proces mes të cilave kishte kërkesa për shkelje të afateve hetimore, etj. Po dje u rrëzua edhe kërkesa e bërë nga avokati i Pinarit për të zhvilluar gjyqin me dyer të mbyllura. Akuza lexoi kërkesën për gjykim duke përmendur të gjitha provat, nëpërmjet të cilave kërkon të deklarojë fajtor të gjithë të pandehurit, mes tyre ish-ushtarakë të lartë e të njohur për punën e tyre për periudhën 2005-2009. Pjesa më madhe e provave të sjella nga Prokuroria që pothuajse janë bërë publike deri më tani i përkasin mënyrës së paracaktuar të zhvillimit të tenderit për dhënien me koncesion firmës "Alba-Demil" për demontimin e fishekëve në Gërdec.

Shpërthim e korrupsion

Ndër të tjera Prokuroria tha se në momentin që po kryhej një saldim brenda ambienteve ku kryhej demontimi, shkëndijat elektrike kanë rënë mbi masën e madhe të barutit dhe kanë shkaktuar shpërthimin gjigant që hodhi në erë një fshat të tërë. Në kërkesën e saj akuza mendon se ka provuar plotësisht se çdo vendim që është marrë për çmontimin e municioneve ushtarake në fshatin Gërdec, ka qenë i paligjshëm dhe se të pandehurit Ardian Mullahi, Shkëlzen Madani, Ylli Pinari e 22 të tjerët në bashkëpunim me këtë veprimtari kriminale, kanë favorizuar shoqërinë “Alba-Demil” për qëllime financiare të kësaj të fundit. Faktet tregojnë se të pandehurit përpara se të zgjidhnin firmën që do të kryente demontimin e municioneve, nuk i kanë kërkuar dokumentacion shtesë mbi eksperiencën që kishin kompanitë, mbi procesin që ato do të kryenin në fshatin Gërdec. Në kërkesë thuhet se nga vlerësimi i ulët i çmimit të fishekëve shteti shqiptar ka pasur një dëm ekonomik prej 8.4 milionë eurosh, ndërsa nga transportimi i municioneve nga depot ushtarake në Gërdec dëmi i shtetit kap shifrën e 900 mijë eurove. Këto shifra janë pasoja e shpërdorimit të detyrës së zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Ushtrisë. Këto dëme janë kryer duke urdhëruar dhe caktuar një sërë shkelje ligjore, si caktimi i shoqërisë së huaj SAC dhe urdhërimi i ndërmarrjes MEICO për realizimin e procedurës së shitjes së municioneve me gëzhojë tunxhi, të kalibrave 7.62 mm –14.5 mm, për çmontim dhe çmilitarizim brenda vendit me këtë shoqëri, është kryer pa pasur procedurë të përcaktuar në vendimin e KM nr. 138, datë 14. 03. 2007 si dhe pa kryer procedurë ligjore për të përzgjedhur shoqërinë SAC.

Akuza, tragjedia gabim njerëzor

Tragjedia e 15 marsit 2008 erdhi si pasojë e një gabimi njerëzor. Të paktën kështu e kanë komentuar dje prokurorët pas përmbledhjes që i bënë të gjitha provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak. Sipas prokurorëve, disa punëtorë ishin duke salduar një karrocë brenda ambienteve të fabrikës ku demontoheshin fishekët dhe shkëndijat e saldimit kanë rënë mbi barutin që ndodhej pranë. Kaq është dashur që brenda një harku kohor të shkaktohej një tragjedi e vërtetë, që mori jetën e 26 personave.

Punësimi i të miturve në punishte

Pinari, Delijorgji, Minxolli e Ngjeçi, me dashje dhe jashtë çdo standardi në raport me këtë aktivitet, kanë punësuar punonjës të pakualifikuar deri të mitur, duke shpërfillur në mënyrë të dukshme natyrën e shtuar të rrezikut të municioneve dhe nënprodukteve të dala nga çmontimi në këtë aktivitet të kryer nga këta punonjës. Me dashje të pandehurit kanë organizuar furnizimin, me municione të kalibrave jo të vegjël, në sasi të mëdha, rreth 150- 200 ton në ditë, jashtë çdo kriteri dhe në kundërshtim të dukshëm me kapacitetet.

Të pandehurit

Ylli Pinari

Mihal Delijorgji

Sokol Gjeçi

Dritan Minxholi

Luan Hoxha

Agim Lala

Shpëtim Spahiu

Zija Bahja

Ramadan Tartari

Ndue Marku

Ardian Mullahi

Adriatik Mema

Shkëlzen Madani

Dashnor Çaushaj

Zenun Fero

Hysni Coçka

Hilmi Laçaj

Fari Toska

Rezart Tërshana

Besnik Dauti

Agim Babameto

Fiqiret Mato

Lavdi Shatro

Gëzim Oshafi

Denis Hajdari

Jorgo Mino

Fatbardh Kuçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›