E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS akuza konkrete për projektligjin për pronat në bregdet

29/10/2009  “Nuk synohet zgjidhja e çështjes së pronësisë, por të hipotekojë vilat e familjes”

Partia Socialiste u përqendrua sërish dje te ligji për pronat në bregdet. Por kësaj radhe duke u ndalur në akuza konkrete. Ishte deputeti i PS-së Taulant Balla që gjatë një deklarate për shtyp shprehu në emër të PS-së dyshimet lidhur me projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. “Dyshimet tona lidhen me faktin që ky projektligj bëhet në favor të interesave familjare të Kryeministrit dhe të ministrave të oborrit. Gjithashtu ne kërkuam që qeveria të publikojë listën e familjarëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë që përfitojnë nga ky ligj i posaçëm, që privatizon përfundimisht bregdetin shqiptar”, - vuri në dukje Balla gjatë fjalës së tij. Ndërkohë, referuar po një kërkese të tillë, deputeti socialist deklaroi se “të mësuar me kryeministrin, i cili gjithmonë hesht sa herë që në afera të këtij lloji janë të përziera edhe interesat e familjes kryeministrore dhe oborrit të tij, PS-ja po bën publikë disa prej përfituesve të drejtpërdrejtë të këtij ligji”. Por, nga ana tjetër, socialisti Balla nuk mund të mos evidentonte faktin se “sipas këtij projektligji përfituesit e këtij ligji hipotekojnë në pronësinë e tyre jo vetëm tokën ku kanë ngritur vilat, por edhe oborret, madje edhe rërën e bregdetit. Pra, qeveria që na shiti detin, tashmë po përvetëson edhe rërën dhe bregdetin”. Ndërkohë, bazuar në deklaratat e pasurisë sipas formularëve zyrtarë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Balla radhiti në këtë listë përfituesish “familjen kryeministrore: vajza dhe kunata; ministri i brendshëm i familjes, Lulëzim Basha; ministri i Financave, ministri i Shtetit. Përfshirë gjithashtu dhe ministra të tjerë të oborrit, zëvendësministra e të tjerë e të tjerë zyrtarë”. Sipas tij, ligji nuk synon zgjidhjen e çështjes së pronësisë së tokave të zaptuar në bregdet, por të hipotekojë vilat e familjes dhe të ministrave.

Të akuzuarit

Familja kryeministrore: vajza dhe kunata

Ministri i brendshëm i familjes, Lulëzim Basha

Ministri i Financave

Ministri i Shtetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›