Municionet luftarake vazhdojnë të kërcënojnë jetën e banorëve
Pas plagosjes së 8-vjeçarit, si pasojë e shpërthimit të një pjese luftarake, rikthehet edhe një herë vëmendja në këtë fenomen
Tepelenë Ngjarja e fshatit Turan, Tepelenë, kur një fëmijë u plagos si shkak i shpërthimit aksidental të një predhe luftarake, ka rikthyer sërish problematikën e rrezikut që përbëjnë municionet luftarake për jetën e banorëve. 8-vjeçari Sebastian Dervishi ngeli i plagosur në dorën e djathtë si shkak i shpërthimit të një djegoreje, pjesë e një predhe luftarake, në afërsi të qendrës së demontimit që është stacionuar në këtë zonë. Sipas dëshmitarëve okularë, së bashku me motrën e tij 13-vjeçare, ata po luanin në periferi të fshatit, në zonën e cila nga specialistët e demontimit cilësohet si e parrezikshme. Gjatë lojës duket se fëmija ka gjetur një predhë luftarake dhe duke luajtur me të i ka shpërthyer djegoreja e saj. Shpërthimi ka qenë i fortë, çka ka bërë që në drejtim të vendit ku ndodheshin fëmijët të rendin banorët e fshatit. “Ne e gjetëm fëmijën të gjakosur, ndërkohë që në dorën e djathtë kishte hemorragji të madhe”, thotë babai i tij, G. Dervishi. Për fat shpërthimi i diegores nuk kishte prekur motrën e tij, pasi vajza ndodhej disa metra larg. Pasi është transportuar për në spitalin e Gjirokastrës, fëmija ka marrë ndihmën e parë mjekësore. “Megjithëse është jashtë rrezikut për jetën, si shkak i shpërthimit të predhës luftarake, fëmija humbi tre gishtat e dorës së djathtë”, thonë mjekët kirurgë. Pas kësaj ngjarjeje banorët e fshatit Turan, Tepelenë, thonë se vazhdimisht në zonën pranë poligonit të demontimit të armëve luftarake, ata gjejnë djegore të pashpërthyera, fakt për të cilin kanë vënë në dijeni edhe specialistët e ushtrisë. Gjatë viteve të fundit nuk është hera e parë që fëmijët në Qarkun e Gjirokastrës humbasin jetën aksidentalisht apo plagosen duke luajtur me armët e zjarrit apo municionet luftarake. Në disa raste pistoletat, pushkët, automatikët etj. që mbahen pa leje në shtëpi kanë qenë shkaktare të ndërprerjes së jetës së disa fëmijëve. “Në këto raste disa fëmijë në Qarkun e Gjirokastrës kanë humbur jetën gjatë viteve të fundit, duke luajtur me armët luftarake që familjarët i mbanin në shtëpi pa leje”, thonë ekspertët e policisë. Ndërkohë, shkaktarë të rasteve të rënda kur fëmijët janë plagosur apo kanë humbur jetën, kanë qenë edhe municionet, bombat apo lëndët plasëse të braktisura në shtretërit e kanaleve fushorë apo zona të pyllëzuara, të cilat pasi janë bërë objekt për lojërat e fëmijëve kanë shkaktuar plagosjen apo humbjen e jetës së vogëlushëve.
Bledar Shehu