Parandalohet krimi për hakmarrje, arrestohet autori
Dy familjet Tonaj dhe Vuksani kanë nisur përplasjet që para zgjedhjeve të 8 Majit, ku do të përballeshin në zgjedhjen elektorale
Shkodër Përplasja mes dy familjeve Tonaj dhe Vuksani, të cilët kanë qenë kandidat për kryetar komune në Shalë, gati sa nuk ka çuar në krimin e radhës, e cila ka përfunduar me arrestimin e Gjovalin Vuksanit. Policia e Shkodrës ka mundur të parandalojë një krim për hakmarrje, ndërsa ka ndaluar të dyshuarin si autor të tij. Sipas policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara është marrë dijeni se mbrëmjen e djeshme Gjovalin Vuksani, 20 vjeç, nga fshati Nënmavriq i komunës Shalë po përgatitej të kryente një vrasje ndaj një pjesëtari të fisit Tonaj, banues në Shalë. Dy familjet Tonaj e Vuksani janë në hasmëri mes tyre që gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, ku kandidonin Dedë Tonaj dhe Bal Vuksani. Konflikti mes tyre u shoqërua me plagosjen në qershor të kushëririt të parë të Bal Vuksanit, kandidatit të majtë nga fisi Tonaj, ku i ndaluar për këtë është xhaxhai i kandidatit të djathtë Dedë Tonaj. Por ndërsa zgjedhjet në komunën e Shalës përfunduan më 21 gusht dhe fitoi me 2 vota më shumë Vuksani i PS, konflikti mes familjeve nuk është shuar. Sipas policisë, Gjovalin Vuksani, pasi ka siguruar mjetet për kryerjen e krimit, ka dashur të vrasë një pjesëtar të familjes Tonaj. Në momentin e ndalimit nga policia atij i është gjetur një armë model 56 me tre fishekë dhe një fishek në fole.
Lidhjet
Zef Vuksani, kushëriri i parë i Bal Vuksanit, është plagosur në këmbë më 6 qershor të këtij viti dhe sipas tij dhe pjesëtarëve të familjes Vuksani autor është kryetari atëhershëm i komunës Shalë dhe kandidati i djathtë Dedë Tonaj. Kjo ka ndodhur pasi Kolegji Zgjedhor i ktheu zgjedhjet për kryetarin e komunës Shalë. Ngjarja ka ndodhur tek ish-fermentimi, ku familja Vuksani ka një lokal dhe fillimisht ka patur grindje, ka ardhur dhe policia. Më pas është plagosur Zef Vuksani, që sipas familjarëve të tij është plagosur nga Dedë Tonaj në prani të policisë. Për ngjarjen është ndaluar Kolë Tonaj 47 vjeç, xhaxhai i Dedë Tonajt, dhe pse kjo kundërshtohej nga familja Vuksani, që akuzonte policinë e prokurorinë se po tjetërsonin provat për të mos e ndaluar kandidatin e PD. Kjo solli acarim të fushatës, në pjesën pas kthimit për votim nga kolegji zgjedhor. Para votimit të 31 korrikut, që nuk u zhvillua pasi u bllokuan nga disa banorë dorëzimi i materialeve zgjedhore dhe atij të 21 gushtit, forcat Renea morën nën ruajtje dy kandidatët, pasi duke qenë në hasmëri kishte rrezik që konflikti të shkonte më tej. Megjithatë, gjatë votimit me 21 gusht nuk pati probleme dhe polica ka qenë shumë e pranishme në komunën Shalë, ndërsa pikërisht situata e rëndë mes dy fiseve bëri që materialet zgjedhore të shkonin në KQZ në Tiranë dhe aty të bëhej numërimi. Pas përfundimit të procesit, hasmëria nuk është shuar dhe dy palët duket se nuk pranojnë të ulen për pajtim.