Ther me thikë kambistin, më pas kërcënon me vetëvrasje
Pas vrasjes, autori Babush Adushi, ka tentuar të vetëvritet, duke drejtuar thikën në fyt dhe është bindur nga familjarët të dorëzohet
FIER Vritet me armë të ftohta thikë një kambist 55-vjeçar në qendër të qytetit Fier. Ethem Spahia, 55 vjeç, i punësuar dhe licencuar si kambist është gjetur i pajetë disa metra larg zyrës së tij të shkëmbimit valutor, mes gjakut, gjurmët e të cilit vinin nga brenda agjencisë së këmbimit deri në vendin ku ai prehej i pajetë.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 19 00 të ditës së diel. Keqbërësi, i identifikuar më pas prej policisë, burime të së cilës në mënyrë të pakonfirmuar kanë dhënë emrin e tij si Babush Adushi nga qyteti i Roskovecit, është futur brenda kësaj zyre dhe ka debatuar e më pas është përleshur me viktimën. Nuk dihet ende nëse viktima dhe autori njiheshin, por nga dyshimet e para mendohet se ngjarja mund të ketë në themel të saj grabitje të të hollave. Autori i dyshuar, pasi ka qëlluar me disa thika viktimën është larguar për në drejtim të poliklinikës së qytetit. Ndërsa viktima është përpjekur të kërkojë ndihmë duke dalë jashtë njësisë së shkëmbimit valutor në drejtim të bulevardit kryesor, fare afër rotondos kryesore të qytetit, përballë bashkisë. Por nuk ka mundur të ecë më shumë, për shkak të rrjedhjes së gjakut dhe plagëve të thella që ka marrë nga goditjet me thikë. Ai ka gjetur vdekjen pranë rrugës kryesore të qytetit. Qindra njerëz janë mbledhur në vendngjarje, ndërsa policia ka mbërritur me shpejtësi duke u vënë në ndjekje të autorit.
Autori
Ky i fundit është larguar me mjetin e krimit në dorë, një thikë të madhe. Ai është futur në mjediset e poliklinikës së qytetit, dhe që andej duke mbajtur thikën në fytin e vet ka ecur deri në mjediset e brendshme të Drejtorisë së shëndetit publik. Më pas autori i dyshuar është stacionuar përbri një lokali dhe godinës së drejtorisë së shëndetit publik. Për më shumë se një orë e gjysmë forca të shumta policie kanë mbajtur të rrethuar autorin e dyshuar. Ai kërcënonte vazhdimisht se do të vriste veten, ndërsa gjatë gjithë kohë nuk e ka hequr thikën nga pjesa e poshtme e kokës, në fyt. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe familjarë të autorit. Edhe këta së bashku me forcat e policisë, në këtë rast civil janë përpjekur të bindin atë për t’u dorëzuar. Pas më shumë se një orë e gjysmë nën vëzhgimin e qindra qytetarëve fierakë, të cilit kanë ndjekur me ankth ngjarjen e rëndë në dy skenat e saj, atë të vrasjes dhe atë të aksionit për kapjen e autorit, ky i fundit u është dorëzuar forcave të policisë. Por në momentin e dorëzimit të afërm të tij të irrituar kanë sulmuar gazetarët dhe kameramanët që po ndiqnin aksionin e policisë. Sulmi brutal i tyre me grushta dhe shkelma, ka goditur disa kameramanë madje kameramanit të tv Jug Fier, i është thyer kamera, ndërsa të tjerët janë lënë pa mbrojtje atë çast nga policia. Mjete të shumta në vendngjarje kanë marrë me shpejtësi autorin dhe disa familjarë të tij duke i dërguar në mjediset e komisariatit. Ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morgun e qytetit Fier. Policia ende nuk ka dhënë detaje të hollësishme për këtë vrasje. Është për t’u theksuar se viktima para disa muajsh është goditur po me thikë nga njerëz të paidentifikuar brenda në agjencinë valutore.