E Shtunë, 31 Tetor 2026

Munter: Liderët e papërgjegjshëm të ndalohen në veri

Beograd -Në veri të Kosovës liderët e papërgjegjshëm të palës serbe prodhojnë dhunë dhe paraqesin kërcënim për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, ka deklaruar ambasadori amerikan në Serbi, Cameron Munter dhe i ka bërë thirrje qeverisë serbe që t’i ndaloj ata.
"Flas për njerëzit të cilët jetojnë në Mitrovicë dhe qeveria juaj e di cilët janë ata. Ata janë njerëz të cilët nxisin dhunë, të cilët janë kërcënim për sigurinë e tyre dhe të tjerëve. Kjo nuk është mënyrë për të zgjidhur problemet", ka thënë Munter në një intervistë dhënë agjencisë Fonet.

Ambasadori amerikan ka porositur se “merret shumë seriozisht ajo për të cilën janë obliguar presidenti dhe shefi i diplomacisë serbe se kjo çështje do të zgjidhet pa dhunë", dhe ka nënvizuar se “ata duhet të mbajnë fjalën e dhënë".

"Mendoj se veprimi i qeverisë së Serbisë për të ndaluar liderët e papërgjegjshëm lokal është e rëndësisë së jashtëzakonshme dhe ne u bëjmë apel që ta bëjnë këtë", ka thënë Munter dhe ka përsëritur se administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e mbështet ndarjen e Kosovës dhe mendon se ky do të ishte gabim, por vlerëson se Kosova do të duhej të mbetet unike, një shtet i pavarur".

I pyetur se si do të veprojnë SHBA-të nëse Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë vlerëson se pavarësia e Kosovës ka qenë e paligjshme, Munter është përgjigjur se statusi i Kosovës, sipas bindjes amerikane, është zgjidhur dhe se me kalimin e kohës do të vazhdojnë njohjet e pavarësisë. /Telegrafi/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›