E Diel, 1 Nëntor 2026

Murat Basha: "Si u futa ilegalisht në Shqipëri, për të shpërndarë traktet e mbretit Leka

TIRANE- Ai është tashmë një personazh në jetën politike të vendit, por edhe një njeri që historia familjare ia ka rezervuar këtë hapësirë. Djali i Akil Bashës, i dënuar dhe persekutuar nga regjimi komunist, shumë i ri do të brumosej me idetë antikomuniste e prozogiste. Murat Basha, nënkryetar i Partisë së Legalitetit, kohët e fundit është parë krah për krah Lulzim Bashës për Tiranën...Po cila është lidhja e tij dhe "rrëshqitja" nga partia, fëmijëria e rinia e dhimbshme për shkak të persekutimit të familjes dhe historia e dashurisë me Mozën, njeriun që do mundej të martohej vetëm jashtë kufijve...
Keni pasur një fëmijëri të vështirë, pasi babai yt ka qenë e mbetet nacionalist, gjë që nuk shihej mirë nga regjimi?
Brenda kontekstit të përgjithshëm ku kemi jetuar, fëmijëria ime, për aq sa mbaj mend, ka qenë si e të gjithë fëmijëve të tjerë, me ëndrra për të ardhmen...Prej se vogli kam pasur dëshirë për t'u marrë me lojëra dhe sport, gjë që do të reflektohej edhe më vonë në jetën time. Krahas tyre, duke pasur fatin të kem një bibliotekë të pasur në familje, kryesisht me libra të trashëguar, me shtytjen e prindërve, leximi u bë dëshira e dytë për mua. Peshën e dhunës të regjimit komunist e ndjeva herët. Mbasi kisha pasur një rol të rëndësishëm te një film artistik, u thirra për të marrë pjesë edhe në një të dytë. Kalova me sukses provat..., por siç mësova pas shumë vitesh, ishin strukturat politike që më ndaluan pjesëmarrjen në një film tjetër, sepse kinematografia ishte pjesë e rëndësishme e propagandës komuniste. Për këtë arsye, nipi i Murat Bashës, i pushkatuar nga komunistët dhe i biri i Akil Bashës, dy herë i burgosur politik po nga komunistët, nuk mund të luante në filmat e propagandës komuniste. Peshën e dhunës e ndjeva përsëri kur mbarova shkëlqyer shkollën 8-vjeçare; desha të shkoj në teknikumin e fizkulturës, për arsye se, që prej moshës 11-vjeçare fillova të ushtrohem sistematikisht me sport, fillimisht në ekipin e fëmijëve të basketbollit të ekipit të Partizanit, por më pas, me ndikimin e xhaxhait tim dhe, së fundi të babait tim, në moshën 13-vjeçare u bëra pjesë e ekipit të atletikës (të hedhjeve) të "17 Nëntorit". Krahas teknikumit të fizkulturës kërkova të drejtë studimi edhe në shkollën e mesme profesionale "7 Nëntori" (sot "Harry Fultz"). Nuk m'u dha e drejta e studimit në asnjërën prej të dyja shkollave. Atëherë, im atë më mori dhe, të ulur në një stol tek lulishtja ku është "Hotel Rogner" sot, përball Bllokut, më tregoi historinë e familjes dhe arsyen përse mua nuk më kishte dalë e drejta e shkollimit. "Tashti je burrë, - më tha im atë, - je 14 vjeç. Moshatarët e tu, dikur në këtë moshë quheshin burra dhe mbanin pushkë...Kërkoj nga ty që të rritesh me nder dhe dinjitet, me besë dhe burrëri, nëse për çfarëdolloj rrethane do të bëhesh shërbëtor i këtyre, - dhe e drejtoi gishtin nga blloku, - nëse nuk kam mundësi me të vra me dorën time, do të të mohoj si djalë". Im atë më mësoi dy gjëra të rëndësishme, kodin e nderit dhe mosdorëzimin kurrë, në çfarëdo situate që të gjendesha.
Si u arrit të luanit një film?
Në një kamp ditor për fëmijë në moshën 7-vjeçare, erdhi një ekip i Kinostudios, të cilët fotografuan disa fëmijë. midis të cilëve dhe mua. Pas një jave, katër prej nesh u thirrën në Kinostudio, bëmë një kinoprovë. Mbas dy ditësh u thirra vetëm unë, bëmë përsëri një kinoprovë me tetë fëmijë të tjerë, dhe roli m'u dha mua. I pari dhe i fundit rol në një film artistik.
Çfarë mban mend nga fëmijëria jote, a fliste babai kundra regjimit?
Natyrisht që im atë, mbasi me konsideroi burrë dhe mbasi me tregoi historinë e familjes, krahas edukimit të ashpër, filloi të më fliste për historinë e Shqipërisë, për ngjarje të veçanta, për rolin e të parëve të mi, si nga nëna dhe babai në këto ngjarje dhe s'kam pse ta fsheh, më nguliti idetë antifashiste, antikomuniste dhe filloi të përgatisë tek unë terrenin për të përvetësuar filozofinë zogiste.
Si shkoi jeta juaj më pas, arsimimi, rinia?
Si të gjithë bashkëmoshatarët e mi, unë fillova shkollën e mesme, por vetëkuptohet, me zemër të thyer dhe ëndrra të vrara, sepse tashmë e kisha kaluar një eksperiencë që unë nuk kisha të drejtë për të vazhduar arsimin e lartë, kjo për sa i përket shkollës, por pjesa tjetër e jetës ishte e okupuar kryesisht nga pasioni për sportin dhe orët e gjata stërvitore, sidomos orët stërvitore u shtuan mbas një ngjarjeje tragjike...në moshën 16-vjeçare, e cila më shkëputi pjesërisht nga sporti gati 6 muaj. Më pas edhe për të mbytur hidhërimin, u përkushtova më me pasion tek sporti. Duke pasur kështu privilegjin të stërvitem me trajner të zotë dhe miq e shokë të mirë, gjëra që mundësuan edhe arritjen e disa rezultateve sportive modeste. Kjo do mund të konsiderohet një periudhë relativisht e qetë e jetës sime, sepse më pas...për arsye se nuk kisha të drejtë të shkoja në universitet, detyrimisht duhet të shkoja ushtar. Në atë kohë, të gjithë sportistët e kategorisë së 2-të në të gjitha llojet e sporteve, ushtrinë e bënin brenda rrethit. Unë që në atë kohë isha sportist i afirmuar i kategorisë së parë që prej të rinjve, por edhe me rezultate në ngritje, jo vetëm që nuk u lejova të shkoj në klubin "Partizani", ku më kërkuan me insistim për arsye të rezultateve sportive, jo vetëm nuk më mbajtën në qytetin e Tiranës, por më dërguan në Poliçan të Skraparit, në repartet e xhenios, ku ne, fëmijët e armiqve dhe të deklasuarve, bashkoheshim me ish të burgosurit ordinerë, për të hapur tunele. Ishim si në një ambient burgu...vërtet një kohë e vështirë, por që më shërbeu shumë. Atje unë njoha jetën dhe njerëzit në një dimension tjetër. Në Poliçan ishte e pamundur të merresha me sport.
Si ndodhi tërheqja nga sporti?
Unë kam pasur ëndërr të bëhem basketbollist, kam dashur t'i ngjaj Agim Fagut, që për mua mbetet etaloni i sportistit në të gjitha dimensionet. Siç thashë më sipër, xhaxhai im nuk donte që unë të isha pjesë e ekipit të Partizanit, jo thjesht se ai ishte tifoz i Tiranës, por sepse e shihte edhe nga ana politike. Kurse im atë me tha: "Biri im, basketbolli si dhe futbolli është për fëmijët e atyre me benza, fiate ose me poste të larta, jo për ty. Merru me ndonjë sport tjetër që nuk e ushtrojnë fëmijët e tyne dhe do Zoti do të lënë të vazhdosh...". Unë kam ushtruar sportin e flakjes së çekiçit. Profecia e tim eti, e nënkuptume në frazën e fundit të pa thënë, do të plotësohej më vonë. Më 4 janar të vitit 1981, u lirova nga ushtria, më 5 janar fillova stërvitjen. Brenda 4 muajve u ribëra atlet i kategorisë së parë, më 21 prill 1982, u bëra kandidat "Mjeshtër Sporti" dhe... më 22 prill 1982, u përjashtova nga sporti me motivacionin "Nuk mund të duartrokasin në stadiumet tona, nipin e armikut të popullit, Murat Basha dhe djalin e një të dënuari politik". Kështu m'u vra edhe ëndrra e dytë pas asaj të shkollës. Komunizmi është një regjim kriminal, i përbindshëm, por krimi më i madh është se vrau ëndrrat e një populli të tërë. Sepse njeriu krijon shpresë nga ëndrrat. E kam përjetuar me dhimbje largimin nga sporti. Rreth një vit, pasi më kishin larguar nga sporti, një miku im i ngushtë më kërkoi me insistim të shkonim të shikonim kampionatin a atletikës, flakjen e çekiçit. Nuk munda të rezistoj dot as 10 minuta në stadium, dola u ngjita tek Kodrat e Liqenit aty pranë, u ula tek rrënjët e një plepi dhe më dolën lot, sepse aty brenda në stadium ku zhvillohej gara, unë shihja ëndrrën time të vrarë. I mbushur me urrejtje, mallkoja fatin tim të keq dhe natyrshëm kërkoja të hakmerresha. Koha më pas ka qenë periudhë shumë e vështirë.
Si e pritët rrëzimin e bustit të Enverit?
Aparati i dhunës vepronte me efikasitet, çmenduria e bartësve të dhunës shkonte deri atje sa kërkonte të kontrollonte edhe ndjenjat...është kjo koha kur unë njoha Mozën, bashkëshorten time të ardhshme, e cila më ndihmoi në kalimin e shumë situatave të vështira. E njoha mbas një lidhjeje që kishte përfunduar shpejt....Dashuria është ndjenjë, emocion, por edhe miqësi dhe mbi gjithçka, sakrificë. Moza ishte për mua një pikë lumturie në një det trishtimi. E mbajtëm "të fshehtë" lidhjen deri në 1990-ën, kur u larguam për në Itali, ku dhe jemi martuar, se këtu e kishim të vështirë nga presioni që ushtrohej karshi familjes së të dashurës sime. Kemi qenë në shtëpi ditën kur u rrezua busti, kemi bërtitur si të çmendur, sa kemi habitur fqinjët dhe kalimtaret italianë. Isha në ekstazë, nga të paktat çaste të gëzuara që kam mundur të shijoj në jetë....se pjesa më e madhe ka vetëm dhimbje.....
Që në fillim ju ishit pjesë e Partisë së Legalitetit, dhe pjesë e oborrit mbretëror, kur e takuat Leka Zogun për herë të parë?
Në Itali ndenja gati 1 vit. I rritur dhe i edukuar si zogist, për këtë arsye rrezikova personalisht duke hyrë klandestin në janar '91, për të prurë në Shqipëri traktet e mbretit ku bëhej thirrje për përmbysje të diktaturës komuniste. Me padurim prita çastin për t'u takuar me mbretin Leka I. Më 18 mars '91, jam takuar me mbretin në hotel "Ekselsior" në Romë. Isha i lumtur. Kisha ëndërruar ta takoja mbretin. E përqafova me mall. Së bashku me delegacionin e Oborrit Mbretëror, kemi vizituar për dy javë kampet e refugjatëve shqiptarë që kishin ardhur me anije në Itali. Dhimbje dhe shpresë. Këto ndjenja lexoja në fytyrat e shqiptarëve. "Mos e harroni atdheun" - iu thoshte mbreti, - se do kthehemi shpejt në Shqipëri". Në maj '91, shkuam në Paris. U angazhova me strukturat e Oborrit Mbretëror atje. Do ju them një detaj. Në Paris realizova një ëndërr, kam luajtur basketboll, në kategorinë e tretë. Siç duket, nuk është vetëm parajsa vendi ku realizohen ëndrrat.
Si e përjetuat humbjen e referendumit dhe, a ishit edhe ju të armatosur në ato protesta?
Ne e fituam referendumin. Votat u vodhën. Ka fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme për këtë. Unë isha pjesë e KQZ-së në atë kohë, në të kundërt do isha në shesh, përkrah mbretit Leka....
Prej disa kohësh duket se je shkëputur nga PLL, pse?
Nuk jam shkëputur nga PLL. Unë kam lindur zogist, nuk qëndron thënia e Çurçillit që ju përmendet, se ka njerëz që ndryshojnë ide për partinë e tyre. Ka edhe të tjerë që ndryshojnë parti për idetë e tyre. Por jam në një periudhë reflektimi të thellë....Simbolet e mëdha përbëjnë shënjestra të mëdha. Mbretëria Shqiptare është simbol i madh..., por edhe shënjestër e madhe.....PLL ka nevojë të ndryshojë në raport me të ardhmen. Është shumë e vështirë kur të ngul sytë historia.
A takohesh këto kohë me Leka Zogun dhe me të birin?
Largimi im nga Oborri Mbretëror nuk më bën të harroj detyrimin tim, por dhe besën e dhënë mbretit Leka, me të cilin takohem rregullisht. Jam ushtar i vjetër i tij. Ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë, ata vetëm zhduken... Ndërsa me princin takohem më rrallë, pasi ai është shumë i angazhuar.
Ju kemi parë si pjesë e stafit të Lul Bashës, ç'ne, çfarë ju lidh me të?
Me z.Lulzim Basha kam njohje të hershme rreth 25-30 vjet më parë, kur ai filloi të merret me sport. Jemi rikontaktuar rregullisht prej 2005-ës. Është djalë i jashtëzakonshëm, inteligjent, i kulturuar, i ndershëm, patriot, me të cilin më lidh miqësia, por dhe kemi mendime të përbashkëta për shumë çështje. Mund t'ia falësh jetën Atdheut edhe pa vdekur për të. Kjo është arsyeja që përkraha pa rezerva projektin e tij për Tiranën, u mundova të kontribuoj familjarisht për të arritur suksesin, desh ZOTI fituam, por z.Berisha dhe z.Basha më vlerësuan duke më bërë pjesë të grupit të këshilltarëve të PD-së për të realizuar projektin në fjalë.
Çfarë bëni aktualisht, çfarë pune?
Aktualisht jam drejtor i Aktiviteteve sportive pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Pavarësisht nga niveli...bëj një punë që më pëlqen. Ministri z.Imami, nëpërmjet një projekti na ka krijuar mundësitë, që së bashku me një staf të mrekullueshëm të krijojmë ekipet sportive me fëmijët e ushtarakëve, të cilët sakrifikojnë gjithçka në shërbim të atdheut. Kemi disa rezultate modeste, por premtuese. Është e rëndësishme të angazhojmë fëmijët me aktivitet fizik, pse jo të nxjerrim edhe kampionë. Në fund të fundit të mos lejojmë të na i marrë rruga fëmijët, por t'i edukojmë nëpërmjet sportit. Shpresoj që edhe ekipi i Partizanit t'i rikthehet Ministrisë së Mbrojtjes, për t'u ngritur në nivelin që meriton.
Keni një familje të mbarë me dy fëmijë, si është marrëdhënia me ta, sa kohë shpenzon?
E quaj veten me fat për familjen. Kam dy fëmijë, vajzën Ensa lindur në Paris, një vajzë e mençur dhe e urtë, si dhe djalin, Bekimin, lindur në Tiranë. Kane qenë dy ditë të lumtura. I jam mirënjohës bashkëshortes sime, që është angazhuar më shumë me fëmijët, sepse unë jam më së shumti jashtë shtëpisë. Fundjavat, kur nuk kam angazhime politike, i kaloj me ta. Këto kohe kemi qenë më shumë së bashku.
Bekimi, djali juaj, ju ka dhënë edhe më shumë famë, sepse ai u quajt 'fëmija gjeni', që në moshë të vogël fliste frëngjisht pa jetuar asnjë ditë në Francë?
Bekimi, im bir, është dhuratë e ZOTIT, është fëmijë i veçantë. Deri tani jam i kënaqur me të, mëson, shkon në kurs për të mësuar të shkruaj frëngjisht, sepse për të folur e ka mësuar autodidakt që në moshën 3-vjeçare, stërvitet në artet marciale, lexon, lundron në internet dhe, i lëvizshëm si gjithmonë. Do të përpiqem t'i mësoj Bekimit kodin e nderit, dhe që kurrë të mos dorëzohet, në çfarëdolloj situate.
Si i keni marrëdhëniet me babanë, për çfarë diskutoni pas kaq shumë ngjarjesh në politikë?
Babai im ka qenë burrë i fortë, pavarësisht nga çfarë ka hequr dhe përjetuar, sepse njeriu ndërtohet dhe kushtëzohet prej asaj çka përjeton. Humbja e nënës sime e ka lodhur...Tashmë, ai jeton me kujtimet e së shkuarës. Flas me të për të shkuarën, e sotmja dhe e ardhmja nuk i interesojnë....Nëse jeton dhe varesh nga e shkuara, vdes çdo ditë nga pak...Pleqëria është sfida e një burri, ajo nuk është për burracakët, por im atë është shumë kurajoz. Vdekja na buzëqesh të gjithëve, duhet të dimë t'i kthejmë buzëqeshjen. Ai buzëqesh...
Cili është pengu juaj në jetë?
Kam shumë pengje në jetë, ëndrra të vrara, miq të vdekur, dashuri të humbura... Do kisha dashur të shkoja në universitet para '90-ës, dhe jo në '95-ën. Jam munduar të jem i ndershëm në çdo marrëdhënie. Më trishton mendimi që nuk arrita ta ngre flamurin dhe të këndoja himnin kombëtar shqiptar në një stadium jashtë atdheut...që nuk kam pasur mundësinë të bëj diçka më shumë për vendin tim. Por, në fund kam pranuar me qetësi faktin se jeta është një ëndërr e trishtë.
Gëzimi më i madh që keni përjetuar?
Martesa me gruan që dashurova, ardhja në jetë e fëmijëve, takimi dhe puna me mbretin, si dhe të gjitha rastet kur kam pasur mundësi për të ndihmuar ndokënd dhe veçanërisht një mik, por dhe kur jam bërë 'barrikadë' e së keqes.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›