Biznesmeni denoncon Krenar Ahmetin, sërish nën hetim për ushtrim dhune
TIRANË – Ish-shefi i Policisë së Qarkullimit, Krenar Ahmeti, nuk e ka harruar zakonin e vjetër të përdorimit të dhunës, gjë që e ka çuar sërish në procedurë hetimi. Kësaj radhe denoncimi në drejtim të Ahmetit ka ardhur nga një biznesmen. Burimet zyrtare i kanë konfirmuar një agjencie lajmesh online se në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një denoncim për ushtrim dhune nga drejtuesi i Policisë prej shtetasit Bujar Kamberi. Ngjarja ka ndodhur dy javë më parë, në hyrje të Tiranës, kur biznesmeni Bujar Kamberi është ndaluar nga Ahmeti dhe eskorta e tij. Sipas hetimeve, pasi e kanë nxjerrë jashtë makine me forcë, Ahmeti ka nisur ta kontrollojë, ndërsa mësohet se ndaj Kamberit është ushtruar dhunë. Burimet kanë shpjeguar se biznesmenit i janë vënë pranga dhe më pas e kanë përplasur kokën në makinë, duke i shkaktuar shenja. Për të vërtetuar akuzën e tij ndaj Ahmetit mësohet se biznesmeni ka bërë një ekspertizë mjeko-ligjore, ku ka rezultuar se i është dëmtuar fytyra, e cila ka shenja. Vetë Ahmeti është paraqitur dy ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës, ku edhe është vënë në dijeni për nisjen e hetimeve. Kallëzimi i dorëzuar nga biznesmeni mban numrin 5103.
Krenar Ahmeti u shpall fajtor dhe u dënua me 200 mijë lekë gjobë për kryerjen e veprimeve arbitrare ndaj prokurores së Krimeve të Rënda dhe bashkëshortit të saj, Elisabeta dhe Agron Bajri. Ai u denoncua edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët ishin ndaluar padrejtësisht prej tij dhe ishin fyer. Vazhdimisht qytetarë të ndryshëm janë ankuar se Krenar Ahmeti është sjellë në mënyrë të pahijshme ndaj tyre.
12 Nentor 2009