Vjosa del jashtë kontrollit, dhjetëra banesa të përmbytura, 400 ha tokë nën ujë
Reshjet e rëna gjatë ditëve të fundit dhe prurjet e mëdha në lumin Vjosë kanë shkaktuar përmbytje në aksin Vlorë-Fier dhe dëmtime të konsiderueshme gjatë gjithë vijës së shtratit. Disa fshatra janë gjendur nën ujë, duke përmbytur rreth 400 hektarë tokë bujqësore. Të paktën dhjetë banesa janë bërë përkohësisht të pabanueshme, ndërsa situata ka qenë problematike gjatë gjithë ditës së djeshme. Shtabi i Emergjencës është ngritur menjëherë për të menaxhuar situatën në fshatrat Novoselë, Levan, Frakull, Mifol etj.
Shirat e rënë ditët e fundit kanë sjellë probleme edhe në rrethe të tjera të vendit, si në Shkodër, Lezhë, Durrës, apo Gjirokastër. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme paraqiten situatën pas reshjeve të rënda ditët e fundit, por ende mbeten nën ujë qindra ha tokë bujqësore dhe zona të banuara sidomos në Kurbin, Lezhë dhe Shëngjin.
Situata Vlorë-Fier
Me qindra hektarë tokë bujqësore dhe disa dhjetëra banesa janë mbuluar me ujë në zonën e Vlorës si pasojë e fryrjes së lumit Vjosa dhe daljes së tij nga shtrati. Po ashtu, raportohet për evakuim të banorëve të disa fshatrave në Vlorë dhe Fier. Shkas janë bërë reshjet e ditëve të fundit në burimet e Vjosës, përfshirë edhe zonën kufitare me Greqinë, duke shtuar ndjeshëm prurjet e tij. Burime zyrtare bëjnë të ditur se një situatë e tillë ka shkaktuar përmbytje në gjithë shtratin e lumit që nga zona e Tepelenës, Gjirokastrës dhe deri në Vlorë e Fier. Tokat bujqësore në fshatrat Mifol, Frakull, Levan por edhe në Novoselë të Vlorës janë mbuluar nga uji. Vetëm në Novoselë llogariten rreth 400 hektarë tokë e përmbytur. Për të përballuar situatën është ngritur Shtabi i Emergjencës, i cili ka kërkuar zhvendosjen e banoreve të zonave pranë lumit Vjosa pasi prurjet e tij po rriten me ritme të shpejta.
Raportimi
Për përballimin e situatës së shkaktuar nga shirat janë ngritur grupe pune nga strukturat e emergjencave civile, strukturat e Policisë së Shtetit në koordinim me strukturat e pushtetit vendor të të gjitha niveleve. Shtabet e emergjencës nën drejtimin e prefektëve në çdo qark të vendit po evidentojnë dëmet e shkaktuara nga reshjet dhe janë në kontroll të plotë të situatës duke informuar dhe koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme. Më problematike mbetet gjendja në zonat që lidhin Shkodrën me Dukagjinin, ku ka pasur shembje të akseve rrugore. Edhe në Lezhë disa fshatra si Barbullojë apo Kolsh janë të mbuluara nga uji. Periferia e qytetit të Durrësit ka probleme pasi nuk funksionojnë siç duhet rrjetet e shkarkimit të ujërave dhe disa banesa vazhdojnë të jenë të pabanueshme. Burimet zyrtare thonë se edhe në zonën e Vlorës dhe Fierit shtabi i Emergjencave Civile po ndjek dhe monitoron situatën e lumit Vjosa, për nivelin e ujit. Në qarkun e Korçës ka pasur dëmtime të disa rrugëve lokale, të cilat janë riparuar, por është nën monitorim të vazhdueshëm sasia e prurjeve të lumit Devoll. “Për të ndjekur nga afër zgjidhjen e problemeve të krijuara në qarkun e Fierit kanë shkuar zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, z. Alfred Olli”, - thonë burimet policore. Tri ditë më parë ministri i Brendshëm inspektoi zonën e Lezhës dhe Kurbinit. Gjatë takimit me banorët dhe autoritetet vendore, Basha premtoi dëmshpërblim për banorët e prekur nga përmbytjet.
SITUATA E MOTIT
Ministria e Brendshme
Qarku Shkodër
Situatë problematike në Shkodër mbetet aksi rrugor që lidh Shkodrën me Dukagjinin, në vendin e quajtur Lotaj, si rezultat i shembjes së dheut në një gjatësi 80 metra
Qarku Lezhë
Si rezultat i reshjeve në një sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore kemi prezencë uji, veçanërisht në fshatin Barbullojë, komuna Kolsh
Qarku Durrës
Situata në qarkun e Durrësit ka ardhur drejt përmirësimit. Gjatë gjithë ditës makinat zjarrfikëse kanë punuar në zonën e plazhit për largimin e ujit nga banesat
Qarku Vlorë
Situata paraqitet pa probleme. Shtabi i Emergjencave Civile po ndjek dhe monitoron situatën e lumit Vjosë për nivelin e ujit
Qarku Korçë
Nga reshjet e këtyre ditëve edhe në qarkun e Korçës janë paraqitur disa probleme, kryesisht dalje të ujërave në segmente të ndryshme të rrugëve, por ato janë eliminuar me shpejtësi. Për momentin është problem ngritja e nivelit të ujit në lumin Devoll.
Qarku i Fierit
Rritja e lartë e nivelit të lumit Vjosa ka influencuar në rritjen e nivelit të ujit në të gjithë rrjetin e kanalizimeve, duke shkaktuar përmbytje në toka bujqësore dhe duke krijuar rrezik në disa fshatra edhe për përmbytje të disa banesave të veçuara.
Qarqet Berat dhe Gjirokastër
Për momentin nuk ka probleme, por po ndiqet me vëmendje situata e nivelit të ujërave në lumenjtë përkatës.
Gjenden tre shqiptarët e zhdukur në Greqi
LIBRAZHD – Aventura e tre shqiptarëve për të kaluar ilegalisht në territorin grek në këtë periudhë me mot të keq fatmirësisht ka përfunduar pa viktima. Tre të rinjtë nga fshati Xhyrë i Librazhdit, Genci Nogu, Petrit Cepi dhe 17-vjeçari Shkëlqim Xhepi u nisën dy ditë më parë për në Greqi në mënyrë klandestine. Denoncimi për zhdukjen u bë dje në mëngjes nga familjarët e tyre në media. Por, nga një telefonatë nga Kastoria e Greqisë, të rinjtë pohuan dje në mesditë për familjaret se ndodhen shëndoshë e mirë në tokën greke. Mësohet se ata ishin vonuar rrugës për shkak të motit të keq, ndërsa janë gjetur shëndoshë e mirë nga shqiptarë të tjerë që jetojnë në Kastoria.
12 Nentor 2009