E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata dënon Jaho Mulosmanin për vrasje të dyfishtë



Gjykata e Tiranës ka dhënë një tjetër vendim dje për Jaho Mulosmanin. Ky i fundit nuk erdhi as në seancën e djeshme, sikurse dhe në ato të mëparshmet. Gjykatësi Petrit Çomo e dënoi atë me 25 vjet burg, por që në bashkim të dënimeve që ka, përkatësisht atë të burgut të përjetshëm, i mbetet në fuqi burg i përjetshëm. Jaho Mulosmani po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë për ngjarjen që njihet si vrasja e shekullit, ajo e deputetit Azem Hajdari. Gjyqi që i shton atij 25 vjet burg ka ndodhur në Tropojë, në vitin 1999. Mulosmani akuzohet për vrasjen e shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Vendimi për rigjykimin e çështjes ndaj Mulosmanit u mor pak kohë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi parregullsi në shqyrtimin e saj në shkallët më të ulëta të Gjyqësorit. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e kishin shpallur fajtor dhe dënuar me burg përjetë Jaho Mulosmanin për vrasjen me armë zjarri të shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti në vitin 1999 në qendër të Bajram Currit. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja e rëndë kishte për motive hakmarrjen.

Prokuroria: Shiti testin e Juridikut

Gjykata e Lartë pushon akuzat ndaj Ferdinand Sporeas

Ish-kreu i Qeverisë Studentore në Fakultetin e Drejtësisë ka përfunduar pas katër vitesh kalvarin me Drejtësinë. Gjykata e Lartë pushoi dje akuzat e ngritura që në vitin 2005 ndaj Ferdinand Sporeas. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se kolegji penal ka vendosur të pushojë një herë e mirë akuzën për shitjen e testit të Juridikut në vitin 2005. Kështu, kolegji penal i kësaj gjykate shfuqizoi vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit, të cilat e dënuan Sporean me një vit 6 muaj burg dhe një milion lekë gjobë. Interesat e Sporeas në Gjykatën e Lartë u mbrojtën nga avokati Fatmir Brraka. Ky i fundit i kërkoi Gjykatës të pushonte akuzat e ngritura ndaj klientit të tij për shkak se veprimi i kryer nga Sporea nuk cilësohet vepër penale nga Kodi i Procedurës Penale. Pikërisht ky argumentim duket se e ka shpëtuar një herë e mirë Sporean nga problemet me Drejtësinë. Në kohën kur u bë publike shitja e testit, ngjarja në fjalë u trumbetua si një nga skandalet në radhët e arsimit të lartë.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›