Robert Schuman, një baba i panjohur
Nga tre baballarët e Evropës që kujtohen për hapat e para drejt bashkimit të kontinentit evropian, është pothuajse tradicionale të thërrasësh në mendje emrat e Alcide De Gasperit, Konrad Adenauerit dhe Robert Schumanit, por ky i fundit me siguri është më i panjohuri për publikun shqiptar. Edhe pse ndoshta është ai që ka kontribuar më shumë për nisjen e procesit të integrimit evropian, duke promovuar më 1950 lindjen e C.E.C.A., komunitetit evropian të qymyrit dhe çelikut, i cili krijon marrëdhënien e parë miqësore midis Francës dhe Gjermanisë, pas gati një shekull luftërash mes dy vendeve, që kishin thithur në vorbullën e tyre shtetet e tjera të kontinentit. Liri për Evropën.
Një refleksion mbi figurën e tij sot është e rëndësishme për dy arsye: Së pari për të rigjetur përvijimin e një njësim të ri solid dhe të sinqertë të institucioneve, më shumë momente bashkëpunimi dhe vëllazëri midis popujve evropianë, që sidomos sot, kur shikohet të dominojë më shumë konfuzioni dhe egoizmat kombëtarë.
Dhe së dyti për të njohur modelin e politikanit të ndritur/dhe të një katoliku në politikë/i sinqertë, trim, i ndershëm, kompetent dhe i drejtuar nga vlerat e palëkundshme {e dimë të gjithë sa na nevojitet njerëz të kalibrit të tillë}.
Politikani katolik i Francës, një veti e rrallë kjo, që e nisi karrierën si outsider mbi të cilin pak veta mund të kishin venë bast, por në të vërtetë ai ia arriti t’u mbushte mendjen bashkëqytetarëve të vet se ishte e mundur të ndërtohej Evropa, bashkë me Gjermaninë. Pak veta e kishin kapacitetin ta mendonin - e jo më ta deklaronin një gjë të tillë - sidomos për një deputet, që kishte qenë një peng i Gestapos. Duhet të dini se mbas Luftës së Dytë Botërore, urrejtja dhe mosbesimi ishin më të mëdhenj se dashuria apo besimi midis dy vendeve-bosht të Evropës dhe vetëm një njeri me karakter të fortë, më një zemërgjerësi kristiane si Robert Schuman mund t’i shkrinte akujt e zemrave të të dy vendeve. Ai ishte i vetmi politikan francez që kishte dy atdhe. Sepse Roberti lindi në Luksemburg më 29 qershor të 1886. Familja e tij ishte nga Lorena, tokë e cila në 1871 kishte rënë nën sovranitetin gjerman (do t’i kthehej Francës në 1918). Schuman, pra, në vitet e fëmijërisë rritet si qytetar gjerman, duke u sforcuar të njihte me themel atë kulturë: ky diapazon i hapur qysh në djep do ta ndihmonte gjithmonë të kalonte vështirësitë e paragjykimeve të ndërsjella gjermano/franceze, e më pas del në mbrojtje të minoriteteve gjuhësore dhe autonomive territorial nga centralizmi.
Frymëzimi për një Evropë pa kufi mendorë e fizik atij i vinte nga besimi i palëkundur që kishte në perëndinë dhe sidomos modeli i tij shpirtëror ishte Vatikani. Kështu justifikon ai veprimin e tij: “e bëra sepse besoj në themelet kristiane të BE-së”. Ai nuk ishte një fondamentalist katolik siç mund të mendohet gabimisht në këtë shkrim, por vetëm një njeri që besonte. Besimi është i rëndësishëm për parimet morale të një veprimi. Folja “besim” në të nuk kishte konflikt me foljen “mendoj”, siç e kanë shumë politikanë të Evropës sot, edhe këta të sanxhakut të Tiranës. Për të ishte shenjë e një lirie, siç duhet të jetë, i të menduarit dhe të vepruarit në liri.
Duke u nisur nga kjo, ai profetizon jo vetëm bashkimin e Evropës Perëndimore, por edhe hapjen drejt vendeve të Evropës Lindore, ku edhe ne bëjmë pjesë: “Ne duhet të bëjmë Evropën jo vetëm në interes të popujve të lirë, por edhe për të pritur miqësisht popujt e Evropës lindore. Kur këta do të lirohen nga pushteti që i ka lidhur ata do të na kërkojnë integrimin dhe mbështetjen morale”. Këto ishin fjalën e Robert Schuman. Akut deri në shurdhim.
Portretin më të mirë për Robert Schumanin na e ka thënë një njeri që nuk ndante të njëjtat ide si ai, as ato religjioze, as ato politike. Ky është Andre Philip, një socialist, paraardhës i Schumanit në ministrinë e financave franceze, që e kujton kështu: “Kishim përpara një njeri të dedikuar, pa nepse personale, me një sinqeritet dhe një përulësi intelektuale të paparë, që kërkonte të shërbente në momentin kur e thirrin në detyrë (...). do të qëndrojë në memorien e tyre që e kanë njohur si një njeri demokrat, krijues dhe më imagjinatë, luftëtar në butësinë e tij, gjithmonë me një respekt për individin, besnik i një vokacioni intim që i jepte kuptim jetës”.
Aneksi i liberalizimit të vizave:
Unë nuk mund ta them hapur se BE-ja na mban në paradhomën e institucioneve dhe demokracisë së Oksidentit. Siç nuk mund të them hapur se problemi i implementimit të marrëveshjes për liberalizimin e vizave është në dorën e secilit prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Këshilli i Evropës nuk ka asnjë rol në procesin e lëshimit të vizave. Por shoh me keqardhje se disa politika “bllokuese” janë vënë me qëllim në tavolinë dhe po të shohësh se kërkesat e standardeve që na janë vënë me çdo kusht. Shih përshembull kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike si kusht janë të papërdorura nga BE-ja brenda territorit të saj, për të mos thënë se janë të panevojshme, e që shkelin disa parime themelore të njeriut. Po nejse. Janë të panevojshme sepse në vendet perëndimore asnjë politikan i Strasburgut apo Brukselit nuk i lind në mendje që të marrin shenjat e gishtërinjve të popujve italianë, francezë e gjermanë, etj. Nuk kanë autoritet moral e legjitim për një kërkesë të tillë. Kam jetuar në këto vende evropiane dhe këtë eksperiment që Brukseli po bën me Shqipërinë është një precedent jo shumë i këndshëm, për t’u jetuar. Ne jemi evropianë prandaj e mbajmë samarin nën kurriz, por që të na vejnë edhe lakut në fyt kjo është e papërgjegjshme nga ana e tyre. Shih leksionet e jetës dhe politikës që të japin persona madhorë si: De Gasperi, Schuman, Adenauer, Spinelli apo Monet, për të kuptuar se bileta e autobusit evropian na është bërë nga fatorinoja e jo nga shoferi.
...