E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Dua 100 për qind Real Madridin

“Vetëm për ‘merengues’ do të largohesha nga Interi pas dy viteve fantastike”

Një tjetër mesazh. I fortë, ndoshta vendimtar. Kur mungojnë vetëm tri ditë nga finalja e parë e Interit në 38 vjet në Champions League, Zhoze Murinjo jep një intervistë të gjatë për “Marca”-n, të përditshmen që tradicionalisht qëndron pranë Realit të Madridit. Për bashkëbisedimin me trajnerin portugez, në lëvizje është vënë personalisht drejtori i gazetës, Eduardo Inda, i cili ka arritur të marrë “intervistën e shumëpritur nga madrilenët”. Drejtuesi i stolit zikaltër prezantohet si një personazh krejt ndryshe nga ai që është perceptimi i zakonshëm: “Murinjo nuk është aspak stereotipi që kanë krijuar armiqtë e tij. Në mënyrë të pabesueshme shfaqet mjaft simpatik, në pamje të parë modest, një personazh i cili të bën për vete. Portugezi ka një personalitet të fortë dhe një siguri të jashtëzakonshme te aftësitë e tij”. Pyetjes nëse do ta drejtojë stolin e Realit të Madridit gjatë sezonit të ardhshëm, Murinjo iu përgjigj: “Nuk e di. Mund të them vetëm se një trajner i madh, apo një lojtar i madh, i cili nuk ka qenë pjesë e skuadrës madrilene, e mbyll karrierën me një mangësi. Dëshiroj me 100 për qind që të punoj te Reali. Megjithatë, nuk mund të them me siguri nëse kjo do të ndodhë gjatë edicionit të ardhshëm, apo në një periudhë të mëvonshme. Alternativat e mia të vetme janë Reali ose Interi. Vetëm për ‘merengues’ do të largohesha nga Interi, pas dy vitesh pune të jashtëzakonshme. Natyrisht që nëse marr vendimin të provoj një aventurë tjetër, këtë do ta bëj me ndërgjegjen të qetë, pasi kam arritur realisht që ta ndryshoj klubin zikaltër”.

Në pjesën e parë të intervistës (pjesa e dytë do të publikohet në gazetën që del në shitje sot), ashtu si ndodh zakonisht, Mou thotë të tjera gjëra mjaft interesante. Rreth Ibrahimoviç ai deklaroi: “Zlatan më tha se do të shkonte te Barça, pasi synonte të përmirësohej edhe më shumë dhe të fitonte ‘Topin e Artë’. Por, nuk është e lehtë të përmirësohesh në një skuadër ku luajnë Mesi, Ksavi dhe Iniesta. Aventura e tij me katalanët nuk shkoi ashtu si shpresonte. Në të kundërt, Eto’o gjeti tek Interi gjithçka që i nevojitej: një skuadër ambicioze, me lojtarë punëtorë. Këtu jemi si një familje e madhe dhe kamerunasi e ndien se është një element i rëndësishëm”. Më tej, Murinjo foli edhe për Luis van Gal: “Për çfarë i jam borxhli? Sepse më dha mundësinë që të punoja tri vjet me të në një klub shumë të madh si Barcelona. Gjithsesi, i kam paguar të gjitha detyrimet e mia: për të punoja si kafshë. Kisha detyrat e mia në fushë, udhëtoja për të vëzhguar kundërshtarët, përgatisja dosjet, i flisja skuadrës për kundërshtarët, drejtoja stërvitjen… Ndaj meje, Van Gal ishte jo vetëm një trajner i madh, por mbi të gjitha një person shumë i ndershëm. Ai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në disa vendime që kam marrë. Dikur më ofruan postin e trajnerit të dytë te Benfika, por Van Gal e kundërshtoi. Më tha se do të më linte të largohesha nëse do të isha trajner i parë, por jo për të qenë asistent. Më thoshte se isha më i mirë se çfarëdolloj trajneri që Benfika mund të merrte. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm me mua dhe për këtë e vlerësoj. Ashtu si në rastin tim, imazhi që njerëzit kanë krijuar për të, nuk i përshtatet personit që Van Gal është në të vërtetë. Sa për ndeshjen e së shtunës, dua të evitohen diskutime të tipit se nxënësi mund të mundë mësuesin. Ndryshimi i madh është se unë e njoh Van Galin si trajner, ndërsa ai më njeh vetëm si asistent”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›