Van Gal: Pa tifozë nuk e luaj finalen e Madridit
Edhe rekomandimet “anti-re” të UEFA-s nuk garantojnë siguri për kampionët e Gjermanisë. Autobusi i Bajern është nisur të martën në mëngjes, në bordin e të cilit ishin vetëm shoferët, por pjesa tjetër ishte e ngarkuar me një ton ushqim. Dhjetë kuti përmbajnë birrën e zakonshme të sponsorit dhe gotat e mëdha 5 litërshe për dushin tradicional bavarez në fushë në rast të fitores. Për Van Galin, që pi vetëm verë të kuqe spanjolle, do të ishte i treti “dush” në tri javë pas suksesit në kampionat dhe Kupë. Skuadra do të niset me avion nga Mynihu sot në mesditë, nga frika e hirit vullkanik, i cili mund të pengojë fluturimin Mynih-Madrid. Krejt papritur, Van Gal ka sugjeruar se do t’i kërkojë UEFA-s shtyrjen e finales, nëse reja vullkanike do ta pengonte ardhjen e tifozëve në Madrid: “Nëse nuk mund të fluturohet, atëherë nuk do të luajmë. Futbolli është për publikun. Unë do t’ia kërkoj këtë UEFA-s”. E marta ka qenë një ditë lirie për lojtarët. Por nga dje e më pas do të ketë stërvitje përditë. Filip Lahm pret një kundërshtar shumë të mbyllur në mbrojtje: “Forca e madhe e Interit është në repartin difensiv. është një formacion i vendosur mirë. Parashikoj se do të luajnë kundër nesh, siç bënë në shtëpi ndaj Barcelonës, duke sulmuar vetëm me tre lojtarë”. Ai mendon se Interi është kundërshtari ideal për finalen: “Kanë eliminuar çelsin dhe Barcelonën, gjë që demonstron se Murinjo ka krijuar një skuadër të madhe. Gjithsesi, jemi të bindur se Interi për ne është më mirë se Barcelona”. Në fakt, një vit më parë Bajerni i Riberisë e Tonit u eliminua nga Barça.
#