Murinjo: Dua Champions-in me Realin
Triumfi në Champions League është objektivi numër 1 për Realin e Madridit. Zhoze Murinjo ka paraqitur objektivat e skuadrës “merengue” në fillim të sezonit futbollistik. “Champions mbetet një ambicie logjike për Realin; ambicie që një skuadër e madhe, e cila ka në kontingjentin e saj disa prej futbollistëve më të mirë në botë, duhet ta ketë me patjetër”, theksoi luzitani. Murinjo nënvijëzoi se kur u zgjodh nga Reali, drejtuesit e këtij klubi “hodhën bast për një trajner me profil të ndryshëm nga ai i drejtuesve të mëparshëm të stolit”. Sipas ish-teknikut të Interit “me përjashtim të Fabio Kapelos, pjesa tjetër e trajnerëve që së fundmi kanë punuar në ‘Santiago Bernabeu’ synonin ta kishin emrin e kësaj skuadre në ‘CV’ (përmbledhjen e jetës dhe kualifikimi në punë). Pasi emëroheshin, ata fillonin të eksperimentonin dhe dështimet i kanë justifikuar me diferencën e nivelit në krahasim me lojtarët. Për këtë arsye, tashmë klubi ka zgjedhur një trajner që ka fituar më tepër se vetë futbollistët dhe ka një ‘Curriculum Vitae’ më të pasur”.
Detyra kryesore e trajneri të ri të Realit të Madridit është ajo e “strukturimit të skuadrës drejt rrugës së sukseseve. Klubi më i rëndësishëm në botë nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë dy apo tre sezone pa fituar asnjë trofe, por as të qëndrojë 20 apo 30 vjet pa fituar Champions League-n. Më tej mund të them se fakti që Reali duhet të luftojë me Barcelonën është një motivim më tepër për mua”. Ai foli më gjerësisht për Barçën, skuadrën ku kreu “masterin” drejt karrierës si teknik. “Barcelona është skuadra më e mirë në botë. Një ekip i ndërtuar prej kohësh, që është në gjendje të luajë me sytë mbyllur. Kanë mbajtur të pandryshuar një filozofi të tyren dhe tashmë do t’i duhet të përballet me një skuadër (Realin), e cila është në ndërtim e sipër. Në këtë këndvështrim, ata nisen përpara nesh, megjithatë ajo që kërkoj është të jemi përpara katalanëve në fund të sezonit”, shtoi Murinjo, i cili nuk duket i fiksuar nga ideja për të arritur suksese të menjëhershme. “Nuk është e thënë që duhet të kesh sukses që prej vitit të parë. Por, mua më pëlqen të jetoj me këtë lloj presioni. Fitorja e trofeve në një periudhë afatgjatë të lë më të qetë, megjithatë më pëlqen të them se është e nevojshme të fitojmë menjëherë”.
Në fund, Zhoze Murinjo foli edhe për merkaton: “Nuk do të jemi kampionët e merkatos: nuk do t’u ofrojmë kontratë lojtarëve më të mirë në botë, apo më të shtrenjtëve”, theksoi ai, duke parashtruar një filozofi të re, e cila ndryshon nga mania e presidentit Perez, për një skuadër “galaktike”. “Afruam të riun Di Maria, i cili është një lojtar me shumë potencial dhe jemi të interesuar për gjermanin Sami Khedira. Na nevojiten edhe një mbrojtës dhe një mesfushor, por do të studiojmë me kujdes pistat”.
#