E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetel, një nga emrat e mëdhenj të automobilizmit

SHKRUAN: Jeton Selimi 25-04-2011 12:06

Triumfi i sezonit të fundit dhe dominimi që po i bën Botërorit 2011 të Formula 1, ka bërë që Sebastian Fetel të krahasohet me emrat më të mëdhenj të sportit më të ndjekur të automobilizmit. 23-vjeçari gjerman hyri në histori si piloti më i ri që fiton titullin kampion, ndërsa edhe në këtë sezon është favoriti kryesor për të përsëritur triumfin. Fetel u ngjit në podin e fituesit në dy garat e para në Australi dhe Malajzi, ndërsa në Çmimin e Madh të Kinës u rendit në vendin e dytë pas Ljuis Hamilton. “Dëgjoj shpesh herë të krahasohem me disa nga pilotët më të mëdhenj të Formula 1. Ndjehem krenar, por kam ende shume rrugë për të bërë dhe kjo më bën më të motivuar. Dua të fitoj akoma dhe jam optimist për të ardhmen”, ka thënë Fetel. Sukseset e njëpasnjëshme e kanë bërë pilotin gjerman shumë të lakmuar, ndërsa për të ardhmen e tij shpesh herë është projektuar një kalim te Ferrari. Fetel shprehet se mendon të fitojë me Red Bull, por nuk ka mohuar dëshirën e tij për të garuar me skuderinë italiane. “Ferrari është një skuderi me histori dhe do të ishte kulmi për çdo pilot. Por unë dua të fitoj akoma me Red Bull dhe jam i lumtur se si po shkojnë gjërat”, ka përfunduar Fetel. Pas tre garave të zhvilluara në këtë Botëror të Formula 1, gjermani kryeson renditjen e përgjithshme me 68 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›