Murinjo: “Ndeshja më e rëndësishme e sezonit”
“Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe do të rrezikoj gjithçka që mund dhe duhet të rrezikoj”. Ky është mendimi i trajnerit të Interit, Hoze Murinjo, përpara sfidës kundër CSKA-së Moskës për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Tekniku zikaltër kërkon ekuilibër dhe përqendrim nga skuadra që do të hedhë në fushë. Murinjo gjatë konferencës së tij në Moskë foli edhe për Mario Balotelin. “Jam i lumtur që u rikthye në skuadër pasi është një lojtar i rëndësishëm. Kemi nevojë për të gjithë lojtarët. Është një lojtar me cilësi të mëdha. Nesër (sot) mund të jetë në fushë, në bankinë apo në tribunë”.
NDESHJA E KTHIMIT - Kundër CSKA-së në ndeshje e kthimit të Ligës së Kampioneve, Interit i duhet të mbrojë rezultatin 1-0 të takimit të parë. “Është një rezultat i hapur. Nëse nuk pësojmë gol jemi në gjysmëfinale, nëse bëjmë gol atëherë do të kemi më shumë mundësi të shkojmë në gjysmëfinale, përkundrazi nëse shënojnë ata (CSKA-ja), atëherë do të bëhet shumë e vështirë. Por, futbolli nuk bazohet te “nëse”. Duhet ekuilibër dhe përqendrim. Unë nga ana tjetër kam besim para së gjithash për mënyrën se si fituam ndeshjen e parë dhe për atë që kemi interpretuar në ndeshjet e fundit, duke humbur vetëm në shtëpinë e kampionëve të Europës”.
NDESHJA E PARË - Në “San Siro”, Interi vuajti shumë pjesën e parë për të gjetur golin në sfidën me CSKA-në e Moskës, kundër një formacioni të ashpër rus, ndërhyrjet e rënda të të cilëve ishin të drejtuara ndaj fantazistit holandez Uesli Snejder. Goli i zikaltërve erdhi pas një kombinimi midis Snejderit dhe Diego Milotos, argjentinasi u shmang bukur dhe në kufijtë e zonës lëshoi një të djathtë vrasëse duke realizuar në minutën e 65-të. 45 minuta e dyta ishin të jashtëzakonshme për Interit, me një bombardim pa pushim drejt portës së moskovitëve me anë të Eto-së, Militos e Snejderit, por pa mundur të shënojnë golin e dytë, çka do ta bënte disi më të lehtë ndeshjen e kthimit në “Luzhniki” të Moskës.
SI GALIANI – Murinjo nuk harron të lëshojë shigjeta mbi kundërshtarët e Ligës së Kampioneve dhe jo vetëm. “CSKA-ja ka bërë diçka për të fituar nesër: nuk luajti të shtunën. Përdorën një falje paksa të trishtuar, por bënë shumë mirë. Sigurisht mund të thoshin të vërtetën”. CSKA-ja duhet të luante të shtunën ndeshjen e saj në kampionat, por ajo u shty për në datën 14 prill, zyrtarisht për motive të sigurimit pas atentateve në metronë e Moskës. “Muaj më parë i bërë komplimente doktor Galianit, që bëri atë që në vendet e tona e quajmë një lojë inteligjente, duke propozuar spostimin e disa ndeshjeve të kampionatit dhe Kupës së Italisë të MIlanit. CSKA-ja bëri të njëjtën gjë”.
Liga e Kampioneve
Çerekfinalet
06.04.2010
Barcelona-Arsenal (2-2)
CSKA Moskë-Inter (0-1
07.04.2010
Bordo-Lion (1-3)
Mançester Jun.-Bajern (1-2)
Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para
6 Prill 2010