E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Nuk munden të na kapin

"Në pjesën e parë nuk kemi luajtur ashtu siç dëshironim: Palermo na vuri në vështirësi. Kundërshtarët tanë luajnë me një shpirt fantastik, të mbështetur edhe nga tifozët e tyre. Për ne ishte shumë e vështirë kjo ndeshje". Ky është momenti kulmor i Hoze Murinjos në prononcimin e tij, në lidhje me fitoren e marrë nga skuadra e tij në fushën e Palermos. "Si skuadër, kemi zhvilluar një punë shumë të mirë në mbrojtje, ka shtuar portugezi, por vetëm një herë mundëm të ndërtonim një aksion. Kjo ndeshje, ashtu siç mund të fitohej, ashtu edhe mund të humbej. Në pjesën e dytë, përfundon Murinjo, skuadra ka shënuar dhe më pas e ka kontrolluar ndeshjen. Palermo ka vuajtur pas golit. Për ne ishte e rëndësishme që të fitonim, sepse rivalët tanë nuk munden të na kapin në krye të klasifikimit".

IBRAHIMOVIÇ - "Ka shënuar dy gola të rëndësishëm. Luajtëm mirë dhe fituam në një ndeshje të vështirë kundër Palermos, që është një skuadër e madhe. Interi administroi ndeshjen dhe shënoi dy gola. Jam shumë i kënaqur". Këtë e ka thënë Zlatan Ibrahimoviç, protagonisti absolut i fitores së rëndësishme. "Kam shënuar dy gola dhe jemi të parët në klasifikim, shpjegon sulmuesi suedez. Do të duhet të vazhdojmë kështu. Ndeshja e ardhshme është kundër Juventusit dhe do të jetë e vështirë. Nëse duam titullin kampion, duhet të fitojmë këtë ndeshje. Disa javë më parë kishim shumë pikë distancë nga Juve dhe tashmë jemi vetëm tri pikë, Gjithçka mund të ndodhë, kampionati është ende shumë i gjatë dhe vetëm në fund mund të bëhen llogaritë. Kam gjuajtur fort edhe tri herë të tjera në të tilla goditje dënimi, edhe kundër Leçes dhe në Champions League ndaj Anorthosisit. Po e provoj edhe në stërvitje. ‘Topi i Artë‘? Po stërvitem çdo ditë për të përmirësuar, përfundon sulmuesi suedeze, dua të jap maksimumin tim".

ZAMPARINI - "Kam parë një Palermo të mirë në pjesën e parë të kësaj ndeshjeje, ka thënë menjëherë pas takimit presidenti i skuadrës siciliane, Zamparini. Për të fituar me Interin do të duhej të mos bënim asnjë gabim". Ndërkohë që numri një i palermitanëve shprehet i irrituar për sjelljen në fushë të Ibrahimoviç, të cilin e konsideron një simulator. "Ibra bëri një gol të bukur, por më vjen keq, pasi mendoj se nuk ka nevojë të simulojë për të marrë një goditje dënimi. Dhe duhet të mësojë që të mos bëjë gjëra të tilla. Mesfusha jonë nuk ekzistonte në pjesën e dytë. Pa Liveranin në qendër humbasim shumë ekuilibër. Nëse Interi kalon në avantazh, është e pamundur ta barazosh. I kisha thënë Balardinit që do të doja të përballeshim më fort me Interin, por ai beson te skema e tij. E demonstroi në pjesën e parë, se mund të jetë e barabartë me skuadrat e mëdha. Na mungon një sulmues qendror. Në janar, do të shikojmë se çfarë do të bëjë Budan". A keni folur me drejtuesit e Interit për Adrianon? "Nuk kemi folur për Adrianon. Nuk do të vijë kurrë në Palermo, pasi fiton 4 milionë euro, Interi duhet të më japë 3 për ta marrë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›