E Diel, 1 Nëntor 2026

Pankina e Shusterit në rrezik, por skuadra është në krah të tij

Pankina e Bernd Shuster është më shumë se kurrë në rrezik, por skuadra, të paktën për momentin, është ende në krah të teknikut. Kriza në të cilën është futur Reali i Madridit është thelluar edhe më shumë të shtunën, kur madrilenët pësojnë një humbje kundër Vajadolidit. Post-ndeshja ka qenë një ferr për trajnerin, por skuadra duket në mbështetje të Shusterit: "Duhet të kemi besim te stafi teknik dhe te lojtarët. Nuk jemi në një situatë të bukur, por duhet të vazhdojmë të punojmë", ka thënë Raul. "Kjo skuadër, nënvizon kapiteni, nuk e ka ulur kurrë kokën. Me Shusterin jemi shumë të lumtur". Sipas shtypit spanjoll, shkarkimi i trajnerit gjerman nuk është imediat. Shusteri, sikurse shkruante dje "As", do të jetë në pankinë edhe ndeshjen tjetër kundër Rekretivo Huelva. "Të ruajmë qetësinë", - ka thënë pas humbjes tekniku. "Të punojmë dhe të kërkojmë të avancojmë përpara me këtë skuadër. Nuk jam i shqetësuar, jam i përqendruar në punën time. Këto, ka shpjeguar ai, janë momente të vështira, tamam si në vitin e kaluar, të cilat i kaluam më pas. Pse duhet të mos ia dalim edhe këtë vit?". Reali ka 23 pikë në klasifikim dhe mban vendin e tretë së bashku me Valencian. Barcelona nëse fiton me Rekreativon, mund të arrijë një avantazh prej pesë pikësh nga skuadra e Shusterit. Situata e Realit, edhe sipas mbrojtësit Gabriel Heinze, nuk është dorëzuar: "Kemi luajtur në mënyrë inteligjente kundër Vajadolidit, por humbëm për shkak të një gabimi. E paguam shtrenjtë atë gabim të vetëm", ka thënë Heinze, i ndëshkuar me të kuqe në këtë ndeshje. Edhe ai nuk do të jetë i disponueshëm në ndeshjen e radhës, kohë kur shumë lojtarë do të jenë të impenjuar me kombëtaret e tyre. Infermieria e Realit tashmë numëron shumë lojtarë, si sulmuesi Nistelroi, sezoni i të cilit duket se ka përfunduar, Arjen Robben, Mahamadou Diarra, Ruben de la Red, Pepe e Metcelder.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›