Murinjo-Real Madrid, Perez është gati të bëjë gjithçka
Të gjithë tek Interi janë të entuziazmuar nga ideja se 2010-a mund të shndërrohet në vitin më të lavdishëm të klubit. Përveç “tripletës”, trofetë që zikaltrit mund të fitojnë janë gjashtë. Aktualisht ata kanë shansin të fitojnë Champions League, titullin në Serinë A dhe Kupën e Italisë. Në rast triumfi, në të tria aktivitetet, interistët mund t’i shtojnë koleksionit edhe Botërorin për klube, Superkupën e Europës dhe Superkupën e Italisë. Me një sukses të tillë, Masimo Morati do të “çmendej”. Ndërsa Murinjo… mund të kënaqet vetëm me tri kupat e para. Atyre që i theksonin me këmbëngulje se me triumfin në Champions do të kishte shansin të luante në Botërorin për klube, portugezi u është përgjigjur thuajse i painteresuar: “Ajo kupë është prestigjioze vetëm për klubin që e fiton, jo për trajnerin dhe as për futbollistët. Në atë aktivitet fillimisht luan kundër një ekipi afrikan ose aziatik dhe më pas një ndeshje me një skuadër amerikanojugore. është njësoj si një Superkupë. Vetëm Champions-i ka peshë”. Në fakt, atij do t’i mjaftonte vetëm Liga e Kampioneve, që të hynte në historinë e Interit, për t’u shndërruar në një idhull e më pas t’i përshëndesë të gjithë me trofeun me “veshë të gjata” në dorë: edhe nëse nuk do të punonte më në Apiano Xhentile, luzitani do të cilësohej si trajneri më i madh që ka drejtuar skuadrën prej periudhës së Herreras. Javët në vazhdim do të jenë vendimtare për të ardhmen e Zhoze Murinjos. Reali i Madridit vazhdon të këmbëngulë për shërbimet e tij. Pas interesimit të Perez gjatë verës së kaluar (që i shërbeu për të përmirësuar kontratën tek Interi), negociatat kanë rifilluar. Sipas mediave britanike, trajneri i ka paraqitur presidentit “merengue” edhe listën me lojtarët që dëshiron të afrohen në skuadër për sezonin e ardhshëm: objektivi kryesor duket se është mbrojtësi i çelsit dhe përfaqësueses angleze, Ashli Kol.
Kundërpërgjigjja e presidentit Morati për largimin e mundshëm të Murinjos drejt “Santiago Bernabeut” ishte: “Festa në fund të ndeshjes me Barcelonën tregon se Murinjo është një interist i vërtetë si ne. Por, mbi të gjitha, ai është një profesionist i jashtëzakonshëm: menjëherë pas kualifikimit më foli për ndeshjen me Lacion në kampionat dhe për titullin që duhet të fitojmë. As që nuk e imagjinoj të ardhmen pa atë si trajner. Natyrisht që merita për finalen në Champions ka edhe skuadra: të shohësh futbollistë si Milito apo Eto’o, që praktikisht luajtën si mbrojtës, është e papritur, por në të njëjtën kohë të dhuron edhe kënaqësi. Kjo tregon se përveç cilësisë, ky grup ka edhe shpirt sakrifice”. Pengesa për të triumfuar në Europë quhet Bajern i Mynihut, por drejtuesi më i lartë i klubit beson se Interi i ka mundësitë që të luftojë në të tria frontet.
#