Berisha-Bashës: E teprove mbrëmë
“E teprove mbrëmë. Shkove për të folur mbi vizat dhe përfundove te zgjedhjet”. Kjo ishte shprehja me të cilën iu drejtua dje me humor Kryeministri Sali Berisha ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, teksa komentoi deklaratat mbi kandidimin e tij për Bashkinë e Tiranës. Duket se shefi i qeverisë nuk ka zgjedhur të mohojë as pohojë përcaktimin e Bashës si kandidat për zgjedhjet lokale, por e ka shoqëruar gjithçka me batuta. Emri i ministrit aktual të brendshëm është lakuar prej kohësh si kandidati potencial për të garuar nën siglën e koalicionit qeverisës në zgjedhjet lokale të vitit 2011 në Tiranë. Gjatë një interviste televizive, Basha pyetjes nëse do të ishte kandidat për Bashkinë e Tiranës ju përgjigj se “nëse ka një ofertë konkrete të jeni të bindur që të gjithë angazhimin përkushtimin dhe energjitë e mia do të vihen në dispozicion”. Unë, vijoi ai, nuk i jam trembur asnjë sfide, fitoren e së cilës gjykoj se i shërben arritjes së objektiva të këtij vendi dhe atyre për të cilat unë besoj... “Këto janë çështje të cilin i përkasin për nga vendimmarrja, në radhë të parë të PD, në radhë të dytë koalicionit, PD dhe LSI. Nëse ka një ofertë konkrete, të jeni të bindur që të gjithë angazhimin, përkushtimin dhe energjitë e mia do të vihen në dispozicion”, theksoi Basha.
#