Superiorja e Kamzës kalon nga një Bylis që nuk fal
Mund të jetë ky viti i Kamzës. Një gjë të tillë ka filluar ta besojë një qytet i tërë, që shtrihet në periferi të Tiranës. Dhe besimi mbështetet mbi një bazë të fortë: skuadrën e drejton i mirënjohuri Perlat Musta, dhe ka bërë një sezon të shkëlqyer në Kategorinë e Parë, ku tashmë është një nga pretendentet kryesore për t’u ngjitur për herë të parë në historinë e saj në elitën e futbollit shqiptar, Kategorinë Superiore. Kur duhen dhe tre ndeshje që të mbyllet sezoni, kamzalinjtë pozicionohen të tretët në tabelën e klasifikimit, baras me pikë me Elbasanin e vendit të dytë (53 pikë). Por verdheblutë renditen të dytët vetëm falë golavarazhit më të mirë. Fitorja e Librazhdit e ka ngrohur së tepërmi atmosferën në skuadrën e drejtuar nga trajneri Perlat Musta dhe tani të gjithë besojnë te kalimi direkt në Superiore. Ndeshjet e mbetura janë të gjitha “finale: më vete për Kamzën. Por pengesa e parë është Bylis (66 pikë), kampioni i saposhpallur i Kategorisë së parë, i cili e ka siguruar një vend në Superiore për edicionin e ardhshëm. Një supersfidë në llojin e vet, e konsideruar si ndeshja më e rëndësishme e javës së 28 të Kategorisë së Parë. Kjo ndeshje konsiderohet shumë e vështirë, për vetë shkakun se ballshiotët kanë demonstruar në javët e mëparshme se nuk kanë ndërmend të tolerojnë askënd, edhe pse tashmë i kanë realizuar të gjitha objektivat e tyre. Ndaj sot pritet të luhet një ndeshje shumë interesante dhe e fortë në stadiumin e ri të Kamzës, mes vendasve dhe mallakastriotëve. Për vendasit vlen vetëm një rezultat: fitorja, e cila do të vazhdonte të mbante gjallë shpresat për të realizuar një objektiv historik për këtë klub. Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, thekson se skuadra e tij është shumë pranë realizimit të ëndrrës, por i duhet të bëjë shumë kujdes: “Kamza do të luftojë me të gjitha forcat deri në fund të kampionatit për ta arritur objektivin madhor, edhe pse ndeshjet në vazhdim nuk janë të lehta. Me Bylisin do të hyjmë në fushë vetëm për fitore. Forma e mirë që po tregon skuadra në këto javë të fundit, na jep garanci për këtë objektiv”, ka theksuar në fund presidenti i Kamzës. Ndërkohë që po sot luhen edhe të gjitha ndeshjet e tjera të kësaj kategorie, ku Elbasani pretendent do të presë në shtëpinë e tij Luftëtarin. Lushnja mendohet ta ketë të lehtë të marrë 3 pikët ndaj Sopotit të fundosur. Impenjim jo i lehtë e pret Partizanin, i cili do të luajë në Gramsh ndaj vendasve. Burreli pret Skraparin, Memaliaj ndeshjet me Bilisht Sportin, Pogradeci sfidon Besëlidhjen dhe Ada do të luajë në shtëpinë e Turbinës.
#